Kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryeministri Edi Rama solli sërish në vëmendje ngjarjen e pak kohëve më parë në Pogradec, duke vënë theksin tek të pavërtetat e shpërndara rreth ngjarjes.

Duke folur në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste që u mbajt sot në Durrës, Rama theksoi se shumëkush në politikë e media u mobilizuan ta manipulojnë vrasjen e një djali të ri si një overdozë propagande për të rritur propagandën kundër qeverisë.

“U prodhua një film, u mblodhën bashkë, komunikata e policisë u hodh në cepat e lajmeve dhe dominuan komentet me fantazinë e gënjeshtarëve. U tha me të madhe se vrasja kishte ardhur nga një gjobë? Gënjeshtër! U shkrua se në Progradec, ligjin e bëkan bandat e gjobvënies, gënjeshtër! U vu kunja se policia kishte tentuar ta fshihte krimin, gënjeshtër! Shpejtësia e veprimeve është e dokumentuar”, u shpreh Rama.

“U bërtit fort se ambulanca kishte ardhur 40 minuta me vonesë, gënjeshtër! Koha është e dokumentuar. Daja i tij është i dënuar për abuzim me detyrën dhe nuk ka asnjë lidhje me PS. I ndjeri ishte anëtar me tesër i PS dhe nuk ishte pronari i lokalit ku ndodhi vrasja, por punonjës i OSSHE”, theksoi Rama.

Por, vuri në dukje si, derisa e vërteta të vishte pantallonat, gënjeshtra e bëri 7 herë xhiron.

“Me ndihmën e një prokurori që nuk ka kryer asnjë hetim e ndryshoi përcaktimin si vrasje nga pakujdesia, duke revoltuar të madh e të vogël. Popullit iu dha doza e helmit për të bërë politikë me një vdekje. Duke organizuar një protestë mashtruese drejt qeverisë”, vijoi Rama.

Por, shtoi ai, PS dihet botërisht se nuk mbron as ministrat e vet kur kërkohen nga Drejtësia./ata