Prej 14 vitesh, Albano Shehu punon si mësues i Edukimit Fizik pranë shkollës 9-vjeçare & kopshtit “Ibrahim Basha” në Kamzë, një objekt arsimor i cili është riparuar dhe përforcuar plotësisht falë programit “EU4Schools”.

Albano tregon sesi investimi ka bërë të mundur ndërtimin e shkollës sipas standardeve më të mira, me kushte dhe mjedise bashkëkohore.

“Kur e kam nisur punën në këtë shkollë dhe për vite me radhë kemi pasur një terren sportiv të rënduar dhe me kushte pothuajse minimale për të zhvilluar orën mësimore ose një aktivitet sportiv. Nxënësit ishin të pamotivuar dhe shpeshherë gjatë lojërave dëmtoheshin për shkak të terrenit të pasigurt. Në ditët e ftohta dhe me shi mbylleshim nëpër klasa “duke parë me sytë nga qielli”. Sot ka ndryshuar gjithçka! Kemi një terren sportiv bashkëkohor, i cili ka marrë vëmendjen e gjithë zonës ndërsa brenda një kohe të shkurtër janë zhvilluar një larmi aktivitetesh”, kështu shprehet mësues Albano pas transformimit të shkollës, realizuar nga “EU4Schools”.

654 nxënës të shkollës, 100 fëmijë të kopshtit dhe 52 staf mësimor janë përfituesit e drejtpërdrejtë të shkollës 9-vjeçare & kopshtit “Ibrahim Basha”, i cili është një prej 6 objekteve arsimore në Bashkinë Kamzë, të përfunduara tashmë në kontekstin e programit “EU4Schools”.

“EU4Schools” financohet nga Bashkimi Evropian me 75 milionë euro dhe zbatohet nga UNDP Albania. Projekti po rindërton ose riparon 63 objekte arsimore në 11 bashkitë më të prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit, 2019-të, me përfitues të drejtpërdrejt 25,000 nxënës, mësues dhe fëmijë.

Deri tani në kuadër të këtij programi, 57 objekte arsimore kanë përfunduar, ndërsa 5 të tjera janë aktualisht në proces rindërtimi/riparimi./ata