4148 Studentë nisin këtë të hënë vitin e ri akademik 2024-2025 në universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, ndërsa 748 studentë të rinj ulen për herë të parë në auditorët e këtij institucioni të lartë arsimor.

Vetëm dega e Infermierisë në fakultetin e Shëndetit Publik është në kuota të plota, ndërsa degë që mbyllen këtë vit s’ka ende sipas autoriteteve ndërkohë që ka degë që kanë vite pa regjistrime, siç janë Italishtja dhe Matematikë-Fizika. Mësohet se këtë vit hapet edhe dega e Kimisë që ka pasur vite pa regjistrime.

Sipas rektoratit, ka rritje nga regjistrimet e vitit të kaluar akademik, ndërsa pritet edhe raundi i fundit dhe masterat, por degët janë pothuaj të gjitha më mirë nga viti i kaluar.

Sot përfundoi raundi i dytë i regjistrimeve dhe studentët kanë mundësinë për t’u regjistruar në raundin e tretë që do të ndodhë në javët në vazhdim. Katër janë fakultetet në universitetin e Vlorës, Fakulteti Ekonomik, Shkencat Humane, Shkencat Teknike dhe Fakulteti i Shëndetit Publik./BalkanWeb