Sot, në ditën e parë të vitit të ri shkollor, Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu inauguruan shkollën e rindërtuar “Babë Dudë Karbunara”, një shkollë simbol në qytetin e Beratit dhe një nga 25 shkollat e reja që hapën dyert sot për 10 mijë nxënës në të gjithë vendin.

Investimi në këtë shkollë, është një nga investimet më të mëdha të këtij viti në infrastrukturën arsimore, që ka krijuar kushte të reja dhe moderne për 600 nxënës dhe mësues.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës së saj, vuri në dukje se ky vit i ri shkollor është veçanërisht domethënës, pasi 25 shkolla të reja kanë hapur dyert për rreth 10 mijë nxënës në mbarë vendin, të ndërtuara dhe rinovuara sipas standardeve europiane.

“Jemi në një prej shkollave simbol të Shqipërisë dhe shohim sesi një projekt është bërë realitet falë mbështetjes së qeverisë shqiptare dhe të kryeministrit Rama, që asnjëherë nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë investimi në arsim, investimi për njerëzit, për nxënësit, dhe për mësuesit. Kjo shkollë është shëmbëlltyrë e vizionit tonë për modelin e shkollave që na duhen. Përtej Tiranës, ne sot shohim shkolla të forta, shkolla të bukura, shkolla që ofrojnë të gjithë infrastrukturën për nxënësit që ata të rriten dhe zhvillohen njësoj si në kryeqytet, si në qytet edhe në fshatrat më të thella, sepse investimet tona janë në të gjithë Shqipërinë. Sot, në ditën e parë të shkollës, hapin dyert 25 shkolla të reja. Janë më shumë se 40 kantieret në të cilat ne jemi duke punuar në të gjithë Shqipërinë dhe më shumë do të bëjmë për sistemin tonë arsimor, për shkollat tona, për shkollën ’20-‘30. Ai vizioni ynë që kemi për Shqipërinë Europiane në prioritetin e saj ka arsimin, ka edukimin”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Programi “Shkolla 2030” tha Manastirliu synon të krijojë shkolla të teknologjisë së lartë, me infrastrukturë të modernizuar dhe standarde europiane.

Rëndësi të veçantë, përveç infrastrukturës, ka edhe mbështetja e mësuesve që sipas Manastirliut janë shtylla e sistemit tonë arsimor.

“Premtimi për rritjen e pagave të mësuesve është bërë realitet për 31 mijë mësues. Paga mesatare e mësuesve tanë sot është 950 euro. Ne do të vijojmë me rritjen e pagave, por ky ishte një kapërcim historik, sepse të investosh te mësuesit do të thotë të investosh te e ardhmja, te fuqizimi i kapitalit njerëzor, te dijet që ata përcjellin. Dhe sot, në nisjen e këtij viti të ri shkollor, mësuesit tanë janë më të motivuar, më të frymëzuar, edhe sepse jo vetëm rritja ka ndikuar, por sepse tashmë ne për mësuesit kemi dhe Programin Kombëtar të Zhvillimit të mësuesve që parashikon një mbështetje për kualifikimin dhe edukimin në vazhdim të tyre. Kemi filluar gjatë këtij viti me trajnimin e 4 mijë mësuesve të shkencave, të teknologjisë dhe informacionit, arsimit fillor, gjuhës shqipe dhe do të vijojmë gjatë këtyre viteve me trajnimin e 16 mijë mësuesve”, tha Manastirliu./ata