Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho uroi nxënësit dhe mësuesit në ditën e parë të vitit shkollor, teksa vuri theksin te rënia e numrit të nxënësve në shkollat e vendit.
Xhixho deklaroi se infrastruktura arsimore lë shumë për të dëshiruar e boshllëqet që lë sistemi kthehen në sfidë për edukimin e brezit të ri.
“Por përtej propagandës të dalë boje, ky vit shkollor nis me tkurrje të numrit të nxënësve dhe me një bilanc alarmant me 295 shkolla të mbyllura në 10 vite qeverisje nga Rilindja. Në të gjithë vendin, ulen sot për herë të parë në bankat e shkollës 28 mijë fëmijë, 1 mijë më pak se një vit më parë”, tha ajo.
Emigrimi masiv, sipas saj, ulja e numrit të lindjeve si pasojë e kostos së lartë të jetesës dhe mungesa e sigurisë ekonomike e ka reduktuar me rreth 40% numrin e nxënësve në shkollat e vendit.
“Sot kemi 125 mijë nxënës më pak se 10 vite më parë”, deklaroi Xhixho.
Vetëm në Korçë, u shpreh Xhixho, janë 6 shkolla të mbyllura për shkak të shpopullimit masiv të fshatrave.
Në Tiranë, nënvizoi ajo, 80% e fëmijëve në moshë çerdhje dhe kopshi nuk gjejnë dot një vend në strukturat publike, ndaj për këtë arsye mbeten të detyruar të shkojnë në privat duke shtruar ndjeshëm koston e tyre.
“Kjo pasi sistemi publik mund të përballojë vetëm 20 % të nevojave, ose vetëm 1 në 5 vogëlushë mund të gjejnë akomodim në sistemin publik”, deklaroi Xhixho./ata