Në ditën e parë të shkollës për vitin shkollor 2024-2025, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali vizitoi Qendrën Burimore për Fëmijët me Aftësi ndryshe.

Në një prononcim për mediet pas vizitës në këtë qendër, Spiropali uroi të gjithë nxënësit që nisin sot shkollën por edhe 28 mijë fëmijët që kalojnë pragun e shkollës për herë të parë të kenë suksese gjithmonë dhe ta nisin rrugën e dijes me këmbë të mbarë.

“Uroj po ashtu prindërit, të cilët kanë po ashtu emocione sa edhe fëmijët e tyre, por edhe mësuesit duke i nxitur ata të shërbejnë, të jenë të dedikuar dhe t’i japin më të mirën fëmijëve që janë e ardhmja e këtij vendi”, tha Spiropali.

“Është me rëndësi që ne kemi të gjithë vëmendjen ndaj fëmijëve me aftësi të veçanta, apo që kanë nevojë për kujdesje të shtuar në aspektin didaktik, por edhe shëndetësor sepse  ata gëzojnë gjithë të drejtat për të pasur një arsimim të plotë, që u jep një mundësi për të qenë të zotët në jetën e tyre”, theksoi Spiropali.

Ministrja Spiropali u shpreh se edhe institucioneve iu shtohet përgjegjësia.

“Kuvendit të Shqipërisë për të bërë ligje më të mira, për të ndikuar në formësimin e politikave që janë më pranë nxënësve, gjimnazistëve, studentëve. Janë e ardhmja jonë e padiskutuar. Është edhe një detyrim që ashtu si po bëjmë investime në infrastrukturën shkollore, siç po investojmë në laboratore, por edhe në teknologji e mjete të tjera ne të bëjmë të mundur që çdo fëmijë, pavarësisht prejardhjes së tij krahinore, sociale, apo siç janë fëmijët me aftësi të kufizuar, ne të bëjmë të mundur që ata të marrin një trajtim të barabartë me dinjitet për shkollimin dhe jetën e tyre”, theksoi kryetarja e Kuvendit./ata