Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, tha sot se Shqipëria po sillet sikur të ishte një vend anëtar me të drejta të plota i Bashkimit Evropian.

Në një konferencë për shtyp, nga Shëngjini, Lezhë, ku janë ngritur strukturat akomoduese sipas marrëveshjes për migrantët, Meloni tha se, Italia mbështet Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor në integrimin e plotë në BE.

“Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje jo vetëm që fuqizohet më tepër marrëdhënia jonë, por do të doja të theksoja se shkëmbimi ynë tregtar mes Italisë dhe Shqipërisë është në vendin e parë dhe përbën 20% të PBB të Shqipërisë. Dhe gjithashtu është një vend mik Shqipëria për Italinë dhe BE.

Shqipëria po sillet sikur të ishte anëtare me të drejta të plota e BE, edhe pse faktikisht nuk është dhe faktikisht i përmbahet të gjitha parimeve që janë në themel të BE. Italia do të jetë, është pra gjithmonë edhe një mbështetëse e fuqishme e anëtarësimit jo vetëm të Shqipërisë por të gjithë Ballkanit Perëndimor në BE. Së bashku me Kryeministrin Rama, kemi qenë protagonistë të arritjes së kësaj marrëveshjeje”, nënvizoi Meloni./ata