Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë me dije se në përgatitje të takimit të radhës mes kryenegociatorëve në Bruksel do ta vizitojë edhe Serbinë.

Miroslav Lajçak tha se gjatë vizitës në Kosovë me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi, ka diskutuar për zhvillimet e fundit gjatë verës, agjendën e takimit të ardhshëm të kryenegociatorëve dhe qasjet se si të trajtohen disa nga çështjet aktuale, si dhe hapat e ardhshëm drejt zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt Normalizimit.

“Pas forumit, vizitova Kosovën në përgatitje të takimit të radhës të kryenegociatorëve në Bruksel. Me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi, diskutova për zhvillimet e fundit gjatë verës, agjendën e takimit të ardhshëm të kryenegociatorëve dhe qasjet se si të trajtohen disa nga çështjet aktuale, si dhe hapat e ardhshëm drejt zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt Normalizimit. Më pas do të shkoj në Serbi gjithashtu në përgatitje të takimit të radhës në kuadër të Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkuar Miroslav Lajçak në Facebook.

Lajçak këtë javë ka marr pjesë në Forumin Strategjik të Bled, ku sipas tij liderë nga e gjithë Evropa u mblodhën për të diskutuar sfidat urgjente globale.

“E ardhmja në BE e Ballkanit Perëndimor u shfaq dukshëm në shumë formate të ndryshme – nga hapja deri te panelet e dedikuara dhe një diskutim i organizuar nga Ministrja e Jashtme e Sllovenisë Tanja Fajon. Duke u angazhuar në diskutime të menduara me politikanë, politikëbërës, diplomatë dhe ekspertë, ne kërkuam mënyra për të forcuar sigurinë, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin në BE të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Lajçak. /KosovaPress/