Deputetja e PD-së Orjola Pampuri reagoi sot në lidhje me mosregjistrimin në zgjedhje të Partisë Demokratike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Në një postim në rrjetet sociale, Pampuri u shpreh se, Edi Rama dhe partia e tij po bëjnë gjithçka për t’i blerë këto zgjedhje.
“Edi Rama është në kundërshtim të hapur me parashikimet e Kodit Zgjedhor, i përditësuar në vitin 2020, pikërisht nga votat e partisë së tij. Pika 4, neni 91 sanksionon: “Katër muaj para datës së zgjedhjeve ndalohet propozimi, miratimi ose nxjerrja e akteve ligjore ose nënligjore, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si aktet që parashikojnë rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve, etj., përveçse kur nisma kushtëzohet nga gjendje të fatkeqësisë natyrore. KQZ ka detyrimin sipas dispozitës së Kodit, në pikën 4, neni 92, se: “Në rast se KQZ-ja, kryesisht ose me kërkesë të të tretëve, konstaton nga informacioni, sipas pikës 3 të këtij neni, se veprimtaria mund të përbëjë keqpërdorim të burimeve shtetërore, atëherë ajo urdhëron ndalimin e zhvillimit të saj”, shkroi Pampuri.
Po ashtu, Pampuri theksoi se, Celibashi me porosi politike po ndalon regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet.
“Ende sot nuk ka asnjë vendimmarrje institucionale të KQZ për këto shkelje mjaft të rënda të vetë Këshillit të Ministrave të vendit. Ndërkohë vetë Kryekomisioneri Celibashi, me porosi politike dhe qëllime të qarta njëanshmërie po keqpërdor tagrin e tij institucional për të penguar me çdo kusht regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme lokale”, shkroi Pampuri./ATSH