Kryeministri Edi Rama foli nga selia e PS-së këtë të hënë për platformën “deputeti që duam”, duke thënë se kjo është një mundësi e shkëlqyer për ata që për ndryshe nuk iu vjen radha të regjistrohen si kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit të ardhshëm si pjesë e mazhorancës.

“Platforma është një instrument që për herë të parë ne e kemi vendosur në qendër të një procesi, që ndryshe nga hera e parë, fillon thuajse një vit përpara zgjedhjeve dhe afro 9 muaj para sesa të regjistrohen kandidatët që do të jenë pjesë e PS-së. Ju jeni nga grupi i parë i aplikantëve që jeni këtu, por që do të zgjerohet me aplikantë të tjerë, të cilët nuk duhet të presin, që pasi u bë aplikimi, ju i dhatë arsyet tuaja, të ndodhi përzgjedhja.

Avantazhi i atyre që vijnë më parë është vetëm koha që kanë më shumë në dispozicion për të treguar sesa janë në gjendje të tregojnë se janë një vlerë e shtuar. Një vlerë e shtuar nuk të bën mosha, apo që di të flasësh bukur, apo mund të kesh qenë më parë në rrethin më të gjerë që ka PS-ja, por as lidhjet që mund të kesh me PS-në, sepse të gjitha këto janë të pamjaftueshme, vlerë të shtuar të bënë se çfarë ti je në gjendje të demonstrosh duke treguar se je një kandidate dhe kandidat që i duhesh PS-së dhe ta demonstrosh këtë çdo ditë. Po përgatitet edhe një udhërrëfyes me sugjerime, që pastaj ju do t’i ndiqni sipas dëshirës.

Askush nuk do t’iu vijë pas për t’iu mësuar. Ne do t’iu ndjekim me sy në distancë për të parë sesi ju promovoni kandidaturën tuaj, duke fuqizuar personin tuaj publik, i cili sot është i panjohur dhe nesër do të jetë një person publik i njohur në komunitetin e tij, në një rreth të caktuar profesionistësh, i njohur në rrjetet sociale dhe një individ që ka provat se pas tij ka zgjedhës që do të zgjedhin ta mbështesin dhe kështu do të mbështesin PS-në. Kjo është një platformë për ata që për ndryshe nuk ju vjen radha”, tha Rama.

Më tej, kryeministri foli edhe për kohën kur ai është bërë pjesë e PS, por edhe për të rinjtë që iu bashkuan kësaj partie në vitin 2013 dhe ndryshimin me ata që do të bëhen pjesë në këtë periudhë.

“Unë erdha në PS në një kohë tjetër, kur nuk kishte rrjete sociale. Ne filluam një ndryshim të gjeneratës që zinte vendin kryesor në të gjithë nivelin vendimmarrës të PS. Faktikisht, PS që fitoi zgjedhjet e 2013, ishte një parti që vinte me fuqinë e atij ndryshimi gjenerate. PS e vitit 2013 kishte shumë të rinj e të reja, të cilët për hir të së vërtetës patën edhe fatin që t’i krijonin muskujt e tyre. Për PS-në e 2030, sfida është se ndryshimi i gjeneratës të bëhet, ndërsa ne jemi në qeverisje”, u shpreh Rama./Dita