Nuk ka më asnjë pengesë. Me 75 vota pro Kuvendi i hoqi 'mburojën' Sali Berishës. Kuvendi votoi pro autorizimit të Prokurorisë së Posaçme për të vijuar procedurat për arrestimin/heqje lirie të Berishës i cili po hetohet për akuzën e korrupsionit në aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani. 

Berisha ishte i pranishëm në seancë kur u votua por nuk mori fjalën ndërsa jashtë e quajti antikushtetues. 

75 votat e socialistëve i hapën rrugë SPAK t'i drejtohet GJKKO-së për ashpërsimin e masës së sigurisë për Berishën i cili refuzoi disa herë të zbatonte vendimin e GJKKO-së për tu paraqitur para oficeres gjyqësore.

Report Tv mëson se asnjë nga deputetët e Partisë Demokratike nuk ishin të pranishëm në seancë. As kryetari Lulzim Basha dhe as Enkelejd Alibeaj i cili përgatiti dhe raportin e Këshillit të Mandateve dorëzuar në kuvend ku deklaronte qëndrimin pro arrestimit të Sali Berishës.

Ndërkohë Argita Malltezi, e bija e ish kryeministrit Sali Berisha dhe një grup të vogël militantësh ishin mbledhur jashtë Kuvendit e protestonin

Në votim ishte dhe Kryeministri Edi Rama. 

Seanca në Kuvend zgjati jo më shumë se 8  minuta pasi deputetët e Rithemelimit tentuan të përsërisnin skenarin e kaosit me karrige pirg dhe tymuese. Por kaosi siç ishte lajmëruar nuk mund të ndalte votimin.

Tani Kuvendi do të njoftojë SPAK lidhur me votimin ndërsa Berisha i pasuar nga një grup militantësh pasi mbajti dhe një fjalë para Kuvendit u zhvendos në selinë e tij.10 deputetët që kishin në fuqi vendimin e përjashtimit nga Sekretariati i Etikës u ndaluan të hyjnë.

Vihen re dhe masa të shtuara sigurie.