Vjosa, lumi i fundit i egër në Europë është shpallur Park Kombëtar (Kategoria II e zonave të mbrojtura mjedisore), në bazë të së cilit, Lumit Vjosa-Aoös, nga burimi i tij deri te derdhja në det, duke përfshirë të gjitha degët, i ofrohet mbrojtje e plotë kombëtare dhe ndërkufitare.

 

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga Vjosa që do të ruhet si një lumë i gjallë, i egër, me rrjedhje të lirë, në dobi të njerëzve dhe natyrës në Shqipëri, Greqi dhe në botë.

 

Vjosa, do të jetë një Park Kombëtar unik për Shqipërinë po edhe për Europën, i cili e fut vendin tonë në një tjetër kategori të hartës turistike europiane dhe hap një tjetër rrugë të re për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e social.

 

Pellgu ujëmbledhës përreth u siguron fshatrave tokë pjellore për aktivitete bujqësore si prodhimtaria bujqësore dhe blegtoria. Bollëku dhe diversiteti i peshqve është jetik për mirëqenien e peshkatarëve vendas, kryesisht në pjesën e poshtme të Vjosës. Eko-turizmi në Vjosë dhe degët e saj është gjithnjë në rritje, veçanërisht vitet e fundit pasi të apasionuarit kanë filluar të shijojnë aktivitete të tilla si rafting, kanoe, kajak dhe not.

 

Në ceremoninë e mbajtur një ditë më parë në Tepelenë, Kryeministri Rama e vlerësoi këtë akt, si një moment historik për mbrojtjen e natyrës dhe për transformimin e mendësisë lidhur me natyrën.

 

Rama deklaroi janë 80 milionë dollarë që do të vendosen në dispozicion të Parkut Kombëtar të Vjosës, që të gjitha bashkitë të mos derdhin më ujërat e zeza në lumë.

 

Vjosa do të ruhet si një lumë natyror, me rrjedhje të lirë, në dobi të njerëzve dhe natyrës. Ky është rezultat i një bashkëpunimi unik midis Qeverisë Shqiptare, ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, OJQ-ve mjedisore nga fushata Save the Blue Heart of Europe, IUCN (Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës) dhe kompanisë së veshjeve të jashtme Patagonia.

 

Vjosa dhe degët e saj kryesore derdhen lirshëm për mbi 400 km, nga vargmali i Pindit në Greqi, ku quhet Aoös, deri në bregdetin e Adriatikut në Shqipëri.

 

Lumi dhe zonat përreth tij janë ekosisteme të një biodiversiteti të konsiderueshëm dhe janë shtëpia e mbi 1100 llojeve të kafshëve, duke përfshirë 13 lloje kafshësh dhe dy lloje bimore të vlerësuara si të kërcënuara globalisht nga IUCN.

 

Parku Kombëtar i lumit të egër Vjosa lehtëson zgjidhjet e sfidave me të cilat përballet lumi si ndotja e ujit dhe tokës, menaxhimi i mbetjeve dhe shpyllëzimi.

 

Në qershor 2022, kryeministri Edi Rama, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dhe CEO i kompanisë amerikane, Patagonia Ryan Gellert u mblodhën në një ceremoni në Tiranë për të nënshkruar një angazhim që të krijonin së bashku Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa.

 

Gjatë nëntë muajve të fundit, një punë e gjithëpërfshirëse në terren dhe analiza të thella janë kryer nga një ekip prej mbi 30 ekspertësh vendas dhe ndërkombëtarë në fusha të tilla si eko-turizmi, gjeomorfologjia, ekologjia, planifikimi dhe menaxhimi i zonave të mbrojtura, financimi i qëndrueshëm i parqeve kombëtare , legjislacioni dhe vlerësimi i ndikimit social dhe mjedisor. Konsultimet me grupet e interesit, si dhe komunikimi me publikun, janë përfshirë gjithashtu në proces.

 

Në të njëjtën kohë, qeveria shqiptare po fillon një proces të përbashkët me qeverinë greke për krijimin e parkut ndërkufitar Aoös-Vjosa, duke synuar nivelin më të lartë të mbrojtjes për të gjithë lumin, nga burimi në det, në të dy vendet./ATSH