Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, prezantoi sot në Komisionin  e Ligjeve, nismën që synon rritjen e pensionit minimal deri në masën 300 euro në vitin 2029.

Bardhi tha se, përmes kësaj nisme synohet trajtimi dinjitoz i pensionistëve, si tregues i një shoqërie të emancipuar.

“Ndërhyrja në ligj synon që të vendosë një standard minimal për masën e përfitimit të pensionit duke filluar nga viti 2024 në masën e pensionit mesatar rreth 18 mijë lekë dhe duke vijuar në progresion rritës për 5 vitet e ardhshme me qëllim që në 2029 të mos ketë pensione më të ulëta se 300 euro. Qeveria shqiptare i ka mundësitë financiare në rast se shpenzimet nuk shkojnë për lukse zyrash e tendera që pasurojnë oligarkët”, tha Bardhi.

Ai vuri në dukje se, amendamenti i dytë kërkon që të heqë afatin kohor të tërheqjes së pensionit.

Ligji aktual parashikon se një pensionist mund të lërë të patërhequr pensionin e tij deri në tre vite, ndërsa propozimi i Bardhit kërkon që afatet ligjore të hiqen dhe pensionisti ta tërheqë atë kur të dëshirojë.

“Pensioni nuk duhet kuptuar në asnjë rast si dhuratë apo mëshirë, por duke qenë se rrjedh nga kontribute shumëvjeçare, si një e drejtë e patjetërsueshme që ka çdo qytetar për të përballuar kostot e jetesës në vitet që nuk është aktiv për punë”, u shpreh Bardhi./ata