Banka e Shqipërisë, bën të ditur se, çmimi i banesave në rang vendi u rrit me 16.9% në krahasim me gjashtëmujorin e dytë 2023 dhe me 8% ndaj së njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas BSH-së, rritja ishte më e lartë në Tiranë. Indeksi i çmimit për shitjet në kryeqytet u rrit me 23.5% krahasuar me periudhën paraardhëse.

Banka Qendrore argumenton se, rritja e çmimit mesatar është ndikuar nga rritja e peshës së transaksioneve në zonat më të shtrenjta, siç është ajo qendrore e Tiranës, ku pronat e shitura në zonat qendrore zinin rreth 46% të të gjithë vëllimit të shitjeve. Ndërkohë që, në zonat jashtë kryeqytetit janë raportuar çmime shitjeje më të ulëta në krahasim me periudhat e mëparshme.

Numri i përgjithshëm i pronave të shitura shënon 928. Raporti i numrit të subjekteve që kanë kryer shitje ndaj numrit të përgjithshëm të përgjigjeve të vlefshme u ul në 39%. Koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi ra lehtë në 10.5 muaj nga 10.9 muaj në vrojtimin e mëparshëm.

Sipas agjentëve, rreth 53% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare./ata