Komisioni hetimor për shërbimet publike të sterilizimit dhe të check-up në shëndetësi vijoi sot seancën dëgjimore me dëshmitarët Ardian Dajti ish-drejtor i Spitalit Rajonal Shkodër dhe Brunilda Mersini, Drejtoreshë e Spitalit Rajonal Vlorë.

I pyetur për kontratën e koncesionit të sterilizimit, Dajti tha se, kontratën e ka gjetur të filluar dhe organizimin e punës gjithashtu e ka gjetur të nisur.

“Kemi dhënë ambiente me qira të spitalit të Shkodrës për sterilizimin. Ne nuk kemi pasur fode për mirëmbajtjen e autoklavës. Ndërsa mbetjet spitalore kanë qenë përgjegjësi e koncesionarit. Koncesionari i ka kryer të gjitha veprimet për mbetjet spitalore”, tha ai.

Dajti vuri në dukje se me futjen e koncesionarit ka një rritje të sigurisë së sterilizimit dhe janë shtuar mjetet njëpërdorimshe si dhe sterilizimi i sallave operatore.

Ndërsa Brunilda Mersini, Drejtoreshë e Spitalit Rajonal Vlorë, tha se, “Spitali është pjesë përfituese e procesit të sterilimit, duke pasur parasysh këtu që Vlora ka shërbyer si palë mbështetëse e spitalit të Sarandës, Lushnjes dhe Fierit.

“Me futjen e koncesionarit janë shtuar setet operatore pa kufizim si dhe gama e shërbimeve sterilizuese që nuk kanë qenë më parë”, tha ajo./ata