Kryeministri, njëherësh kryetari i PS, Edi Rama zhvilloi sot një takim me qytetarët në Rrëshen, ku prezantoi kandidatin e PS për kryetar bashkie të Mirditës, Ndrec Deda.

 

Takimi u zhvillua në një nga lagjet e reja të ndërtuara pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

 

“Po e bëjmë këtë takim, këtu ku deri para pak kohësh s’kishte asgjë dhe sot është një lagje e re që strehon familjet e goditura nga tërmeti dhe i strehon në kushte shumë më dinjitoze se ato që kishim më përpara, pranë qytetit dhe me një jetë komunitare të re”, tha Rama.

 

“Kjo është ajo që kemi bërë ne dhe kështu e kemi transformuar jetën e mijëra e mijëra njerëzve, të cilët përndryshe, nuk do të kishin asnjë shans që me të ardhurat e tyre të mund të hynin në një shtëpi të re. Ndërkohë që me fuqinë tonë të përbashkët ne u kemi dhënë atyre një shtëpi të re dhe një shtëpi më të mirë, një shtëpi shumë më të fortë, një shtëpi më të bukur se ajo që kishin, por mbi të gjitha një shtëpi falas që është prona e tyre e paluajtshme”, u shpreh Rama.

 

“Duhet të keni parasysh që me fondet që janë dashur për t’i dalë përballë fatkeqësisë që goditi gjithë ato mijëra e mijëra familje, na është dashur që të vonojmë projekte të tjera, të spostojmë fonde, në mënyrë që t’ia dalim kësaj ndërmarrjeje kaq të jashtëzakonshëm në një kohë kaq të shkurtër”, tha Rama.

 

Dhe shtoi kreu i qeverisë, “nuk ishte vetëm tërmeti, ishte dhe pandemia, që na bëri përsëri të mbartim fonde të përcaktuara, për të tjera punë, për të tjera projekte dhe t’i përdorim për vaksinat falas, t’i përdorim për gjithë përballimin e asaj flame që preku aq shumë njerëz deri me jetën e tyre, por që kërcënoi ekzistencën e shumë bizneseve dhe shumë vendeve të punës. Sot ajo është një kujtim i të shkuarës dhe është një kujtim për të cilin, përsa na ka takuar ne jemi shumë krenarë sepse, jo vetëm nuk lamë njerëzit pa vaksina, por nuk lamë as bizneset të falimentonin masivisht. As ata që i humbën përkohësisht vendet e punës, nuk i lamë që të mbeten në rrugën e papunësisë, por i rikuperuam dhe i tejkaluam ato vende pune të humbura dhe patjetër nuk lejuam që më të moshuarit dhe më të dobëtit të mbeteshin vetëm, por i mbështetëm me të gjitha pakot e rezistencës.

 

“Pastaj erdhi lufta erdhi rritja katastrofike e çmimit të energjisë, gjë për të cilën ne bëmë gjithçka dhe vazhdojmë e bëjmë dhe sot që fatura e energjisë elektrike në shtëpitë e të gjitha familjeve shqiptare, mos të ketë asnjë qindarkë më shumë se ç ‘kishte përpara se të fillonte lufta. Por në çdo faturë është dora e qeverisë që paguan diferencën”, tha Rama.

 

“Të gjitha këto i them për të kuptuar, që nëse do kishim pasur një rrugë më të lehtë, nëse nuk do ta kishim pasur imponimin e këtyre forcave të paparashikuara të natyrës që na dolën përballë dhe që do kishin gjunjëzuar edhe një elefant, jo më një Shqipëri të vogël dhe ende jo aq të fortë sa për të përballuar goditje të kësaj natyre njëra pas tjetrës sigurisht që do kishim bërë më tepër”, theksoi Rama.

 

“Megjithatë, pavarësisht të gjitha këtyre ne sot e kemi sjellë ekonominë shqiptare në pikën që mundet të bëjmë rritjen më të madhe historike të pagave, duke bërë që paga mesatare në sektorin publik nga 530 euro që ishte përpara se të fillonte rritja që ka filluar tani në fund të prillit dhe fillim të majit, deri në prillin e ardhshëm të bëhet 900 euro”, u shpreh Rama.

 

“Dhe patjetër kjo shoqërohet me rritjen e pagës në sektorin privat, ku ne e kemi çuar pagën minimale në 40 mijë lekë, përtej parashikimit në programin tonë, por dhe në programin e atyre të tjerëve, që ju e dini shumë mirë se si i shkruajnë programet”, tha Rama.