Ish-kryeministri Sali Berisha, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike iu drejtua sot SPAK, për t’u njohur me akuzën lidhur me privatizimin e kompleksit sportiv “Partizani”.
Në një prononcim për medie, Berisha tha se ndihet më i motivuar se kurrë për fitore.
“Ndjehem më i motivuar se kurrë për t’i dhënë përgjigje këtij zotërisë. Më i motivuar se kurrë për fitore dhe për të gjitha”, tha ai.
I pyetur se çfarë vendimi pret sot nga SPAK, Berisha tha se është një trillim fund e krye.
“Pres një vendim politik të Edi Ramës, i cili ka zgjedhur mënyrën atërore për të siguruar mandatin e katërt, por atë do ia djegim”, shtoi ai.
Sipas Berishës, në dosjen e Klubit Partizani nuk ka absolutisht çështje penale; mungon fakti penal dhe shteti nuk ka humbur asnjë cent para publike, përkundrazi veç ka fituar nga zbatimi i ligjit.
“Sali Berisha u vu nën arrest me kallëzimin e rreme të Taulant Ballës se toka ne territorin e Klubit Partizani nuk ju takonte pronarëve mbasi ishte shpronësuar nga autoritet italiane. Prokurorët e dinin që ky ishte mashtrim sepse fletoret zyrtare të vitit 1942-1943 faktojnë qartë se ajo toke nuk është shpronësuar kurrë por ishte vendosur nën rekuizim për 6 muaj”, u shpreh ai në deklaratë për mediet.
Berisha tha se “Edi Rama nuk mund t’ia caktojë kurrë kandidatin as kryeministrin, as kryetarin e partisë kësaj partie (PD)”.
“Dua t’u kthejmë shqiptarëve votën e lirë, rotacionin e pushtetit, fitoren e opozitës”, tha ai.
Forca të shumta policie janë vendosur jashtë godinës së Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, ku ish-kryeministrit Sali Berisha do i paraqitet akuza për dosjen “Partizani”.
Dhjetëra mbështetës dhe deputetët e grupit parlamentar të PD-së ndodhen po ashtu para SPAK për të protestuar në mbështetje, si shprehen ata, të lirimit të liderit të opozitës./ata