Vëllimi i përgjithshëm i pyjeve ra me 1.64% në vitin 2023, krahasuar me vitin 2022. Sipas të dhënave nga Institui i Statistikave, vëllimi i përgjithshëm i pyjeve, arrin në rreth 53.17 mln m3, nga të cilat 93,9% janë pyje publike dhe 6,1%, private.
Volumi i pyjeve është treguesi më domethënës i situatës në pyje, që prej vitesh pëson tkurrje, si pasojë e shfrytëzimit pa kriter, djegieve apo prerjeve në mënyrë të paligjshme të qindra mijëra hektarë pyje.
Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2004 volumi pyjor në këmbë ishte 73.5 mln m3, çka do të thotë se në 20 vite kemi humbur mbi 20 mln m3 pyje. Ndërkaq, përveç prerjes së paligjshme apo zjarreve, të dhënat tregojnë se pyllëzimet për të zëvendësuar drurët e humbur, janë të pakta.
Nga viti 2014 deri në vitin 2022, Ministria e Mjedisit deklaron se janë mbjellë 11.4 milionë pemë. Sipas ekspertëve po të flasim për një skemë pyllëzimesh 2 me 2, kemi 2500 fidanë të mbjellë në 1 ha. Pra në 9 vite janë pyllëzuar vetëm 4574 ha. Paralelisht, Agjencia Kombëtare e Pyjeve identifikon edhe mungesën e punimeve për përmirësimin e pyjeve ekzistuese, siç mund të jenë pastrimet apo rrallimet.
Ndërkaq, sipas INSTAT, në vitin 2023 fondi pyjor dhe kullosor i Shqipërisë shtrihej në një sipërfaqe të përgjithshme prej 1.729.896 (ha), duke përfaqësuar 60,1 % të sipërfaqes gjithsej të vendit.
Sipërfaqja pyjore përfaqëson 68,3 % të fondit pyjor dhe kullosor, ndërsa pjesa tjetër prej 25.8% përbëhet nga kullotat dhe livadhet. Po ashtu, sipas INSTAT sipërfaqet me bimësi pyjore dhe joproduktive që janë pjesë e fondit pyjor, zënë 5,9 % të këtij fondi./Scan