Flukset financiare hyrëse në ekonominë e vendit të pasqyruara përmes bilancit të pagesave tregojnë një trend pozitiv sa i përket gjysmës së parë të vitit aktual. “Scan Intel” ka marrë në analizë investimet e huaja direkte, duke qenë se kryesisht këto flukse hyrëse vijnë në këtë formë.

Të dhënat nga “Banka e Shqipërisë” tregojnë se vlera e investimeve të huaja direkte arriti në 395.3 milionë euro në tremujorin e dytë të vitit, nga 381.6 milionë euro që ishin në të njejtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja vjetore vlerësohet në 3.4%.

Nga ana tjetër, nëse i referohemi gjysmës së parë të vitit shohim se vlera e përgjithshme e investimeve të huaja direkte vlerësohet në 749.8 milionë euro, duke shënuar rritje me rreth 8%, krahasuar me periudhën Janar-Qershor të vitit 2023, kur ky tregues vlerësohej në 693.5 milionë euro. Vlera e investimeve të huaja direkte përgjatë gjashtë muajve të parë të vitit ka shënuar rekord nëse e krahasojmë me të njejtën periudhë të viteve të kaluara.

Referuar të dhënave të institucionit, ndikimin më të madh në rritjen e investimeve e kanë patur rritja e fitimeve të riinvestuara nga ndërmrrjet e huaja. Në tremujorin e dytë ky tregues vlerësohet në 184 milionë euro. Nëse i referohemi gjysmës së parë të vitit, atëherë ky tregues përllogaritet në 393.7 milionë euro.

Banka e Shqipërisë më herët e ka cilësuar përmirësimin e bilancit të pagesave si një indikator i rëndësishëm në forcimin e ekonominë, por nga ana tjetër kjo ka sjellë edhe forcimin e ndjeshëm të lekut dhe rënie të monedhës së përbashkët europiane./Scan