Gazetari Flogert Muça është shprehur se Partia Socialiste punon intensivisht në terren, për t’i nxjerrë votuesit drejt kutive të votimit në datën e zgjedhjeve.

Komentet Muça i bëri në emisionin ‘Barometri’ në Euronews Albania, ku tha se avantazhi i PS për të kaluar pritshmëritë në zgjedhjet e vitit 2025 është kryesisht te dobësia e kundërshtarit.

Ai tha gjithashtu se PS është një parti politike që funksionon përgjatë 365 ditëve të vitit dhe jo me kohë të pjesshme.

“Në këto zgjedhje kam përshtypjen se avantazhi kryesor i PS për të kaluar përtej pritshmërive është kundërshtari. PS ka aktivistë dhe patronazhistë dhe e dinë shumë mirë se kush ka votuar kë. PS nuk është një parti elektorale që funksionon vetëm 3 muaj ose 45 ditë, por 365 ditë të vitit.

E bëjnë të gjitha partitë, por PS punon më intensivisht në terren. Të bie telefoni në të katër anët, nëse të duhet makinë të sjellin makinë të shkosh të votosh.

Të bezdisin deri në pikën që ti je votues i tyre por thua nuk po dal për të votuar se e kanë të fituar dhe sërish të nxjerrin. Janë në njëfarë mënyre të dhunshëm për të nxjerrë votën dhe për ta çuar te kutitë e votimit”, tha Muça./EuroNews