Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se viti 2023 ka qenë pa diskutim viti më i mirë për Shqipërinë në çdo aspekt.
Në një konferencë për mediat nga selia e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, Rama foli mbi disa nga zhvillimet kryesore në vend gjatë vitit 2023 në disa sektorë, ndërkohë u ndal dhe në zhvillimet në rajon dhe çështje të tjera.
Rama e konsideroi vitin 2023 si viti më i mirë në aspektin e sigurisë, në aspektin e shërbimeve publike të investimeve publike e të investimeve të huaja të drejtpërdrejta dhe në aspektin e pozicionit ndërkombëtar të Shqipërisë.
"Faktikisht ky vit do të mbyllet me një rritje ekonomike që e tejkalon ndjeshëm çdo parashikim të bërë qoftë nga qeveria shqiptare, qoftë nga institucionet financiare ndërkombëtare. Ne besojmë se shifra përfundimtare do të jetë afër 4 për qind. 3.7 për qind apo 3.8 për qind. Paga në sektorin publik ka vazhduar të rriten ndjeshëm e vitin e ardhshëm, në qershor ato do të kenë një tjetër rritje të konsiderueshme të parashikuar tanimë në buxhetin e vitit 2024 ku arsimtarët, ushtarakët, punonjësit e policisë, mjekët dhe të gjithë punonjësit e administratës do të kenë një rritje që do ta çojë faktikisht pagën mesatare në sektorin publik në 900 euro", u shpreh Rama.
I pyetur për çështjen e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Alfred Beleri, i cili akuzohet për "korrupsion aktiv në zgjedhje" dhe që ndodhet në paraburgim, Rama tha se gjykata ka dhënë një vendim dhe shtoi se "Vendimi ka konfirmuar katërcipërisht atë që ne kemi thënë qysh ditën e parë, që ne s’kemi pasur asnjë të drejtë, asnjë kompetencë, asnjë mundësi që të mundësojmë betimin si kryebashkiak të njeriut të kapur në flagrancë dhe të akuzuar për blerje votash, që është në paraburgim".
Mbi tensionet e fundit në Kuvendin e Shqipërisë, Rama theksoi se është pala tjetër (opozita) që është në konfuzion total dhe sipas tij edhe "që është në një betejë kundër drejtësisë".
Kryeministri Rama u shpreh se përsa i përket marrëdhënies me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është një marrëdhënie që nuk ka asgjë tjetër përveç interesit të Shqipërisë dhe interesit të rajonit, dhe shtoi se "Kemi kërkuar haptazi që Serbia duhet sanksionuar dhe Kosovës i duhen hequr masat shtrënguese sepse tanimë Kosova e ka bërë hapin që duhet ta kishte bërë me kohë, por e ka bërë. Edhe nuk ka asnjë sens që Kosovës t’i mbahen masat shtrënguese dhe Serbia të mos ketë asnjë pasojë shtrënguese pas aktit terrorist në Banjskë kështu që këto janë qëndrime që nuk ndryshojnë".
Kryeministri Rama u ndal dhe në çështje të tjera, ndërsa theksoi se turistët janë një nga kanalet më të rëndësishme të rritjes e të zhvillimit ekonomik./aa