Rreth 1.000 armë të paligjshme të konfiskuara nga policia e Kosovës këtë vit u asgjësuan në një ceremoni të mbajtur në qytetin e Ferizajt.
Në aktivitetin e mbajtur në një fabrikë në afërsi të Ferizajt morën pjesë zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Blerim Gashani, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Dejan Jankoviq, përfaqësuesi i përhershëm i Programit të OKB-së për Zhvillim (UNDP) për Kosovën, Nuno Queiros si dhe shumë të ftuar të tjerë.
Zv/ministri Gashani tha se ngjarja e asgjësimit të armëve thekson progresin e jashtëzakonshëm që kanë bërë si shoqëri. Ai u bëri thirrje të gjitha institucioneve që të vazhdojnë të punojnë së bashku në mënyrë që qytetarët të ndihen të sigurt dhe të jetojnë të lirë.
"Shkatërrimi i këtyre armëve ilegale tregon vendosmërinë tonë për të eliminuar potencialin e dhunës dhe për të siguruar një të ardhme të ndritshme dhe të sigurt për qytetarët e Kosovës, pa asnjë dallim", tha ai.
Jankoviq dhe Queiros gjithashtu mbajtën një fjalim dhe përgëzuan institucionet dhe personelin që kontribuan në sekuestrimin e armëve të paligjshme.
Pas fjalimeve filloi asgjësimi i rreth 1.000 armëve të paligjshme të konfiskuara nga policia e Kosovës në operacione të ndryshme këtë vit.
Sipas hulumtimeve të bëra nga organizatat ndërkombëtare, vlerësohet se qytetarët e Kosovës kanë në posedim më shumë se 200 mijë armë të paligjshme./aa