Organizatorët dhe pjesëmarrësit e Festivalit “Mirëdita, dobar dan!” dhe ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, kanë ndezur qirinj për viktimat e sulmit të së mërkurës në një shkollë fillore në qendër të Beogradit.

Pjesëmarrësit ndezën qirinj në shkallët e Teatrit Kombëtar në Prishtinë.

 

Kushtrim Koliqi, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare Integra, e cila është nikoqire e këtij festivali, tha për AA se pa dyshim ajo që ndodhi në Beograd tronditi edhe qytetarët e Kosovës, sepse po flitet për fëmijë dhe civilë që humbën jetën në atë tragjedi.

 

“Duke qenë se një nga vlerat e festivalit Mirëdita, dobar dan” është solidariteti, atëherë shprehim solidaritetin tonë me dhimbjen e familjeve dhe miqve për humbjet që u kanë ndodhur”, tha Koliqi.

 

Maja Zhilliq, koordinatorja e festivalit, tha për AA se në këtë mënyrë tregohet se solidariteti është një nga cilësitë më të rëndësishme të të gjithë njerëzve dhe se pavarësisht nga të gjitha dallimet dhe situatat politike mes Kosovës dhe Serbisë, ka njerëz nga të dyja anët të cilët në mënyrë njerëzore duan të tregojnë se “kujdesen për njëri-tjetrin”.

 

“Në këtë mënyrë, ne u dërgojmë një mesazh shoqërive tona dhe politikanëve tanë se ne mund të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit edhe kur gjërat nuk janë duke shkuar mirë”, tha Zhilliq.

 

Ngushëllime familjarëve të viktimave të sulmit në Beograd u kanë shprehur edhe presidentja e vendit Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

 

Të mërkurën në Beograd u vranë nga të shtënat me armë zjarri në Shkollën Fillore “Vlladisllav Ribnikar” në Beograd tetë nxënës dhe një rojë sigurie, siç bëri të ditur Policia e Serbisë.

 

Në oborrin e shkollës ku ndodhi rasti u gjet dhe u arrestua nxënësi i kësaj shkolle, K. K., 13-vjeçar, i cili dyshohet se ka kryer këtë vepër, sipas policisë.

 

Shefi i Departamentit të Policisë së Beogradit, Veselin Miliq, bëri të ditur pas rastit se i dyshuari kishte një muaj që kishte planifikuar sulmin dhe se ai vetë kishte raportuar se e kishte kryer krimin./AA