Kryeministri Edi Rama replikoi sot në Kuvend me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, lidhur me kallëzimin në SPAK të Olsi Ramës.
Rama tha se do të durojë që SPAK të nxjerrë të vërtetën dhe pastaj do të ketë dhe një ballafaqim tjetër me Bardhin.
“Zotrote je ai që iu the këtyre, iu the atyre, iu the shqiptarëve: kam kallëzuar në SPAK Olsi Ramën. Në fakt kishe kallëzuar vetëm Noc Rrokun sepse i kishe çuar një informacion, mirë e bëre, se ndryshe do përfundoje si babale Salivani që tani shtyn me raporte gjyqin për vendimin e formës së prerë, por unë, nuk e keni mësuar akoma ju se çfarë problemi keni me mua, unë duroj shumë. Do duroj deri këtu SPAK të nxjerrë të vërtetën dhe pastaj do kemi dhe një ballafaqim tjetër bashkë”, tha Rama.
Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës, Kryeministri theksoi se “atë që do merrni nga shqiptarët vitin e ardhshëm do ta keni më keq se në ’97-ën”./ata