Deputetja e Partisë Demokratike, Elda Hoti kërkoi sot nga zv/kryeministrja njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku shpjegime se pse nuk janë ndërtuar katër nyjet dhe nënkalimet në rrugën Thumanë-Kashar.

Në interpelancën e kërkuar me zv/kryeministren njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku në lidhje me protestat e banorëve për bllokimin e hyrje-daljeve në zonat e tyre të banimit pas ndërtimit të aksit Thumanë Kashar, Hoti tha se “edhe pse pas takimit me banorët e mësuat edhe ju që rruga Thumanë- Kashar duhet të kishte katër nyje sot kërkoj përgjigje se pse nuk janë ndërtuar këto katër nyje dhe nënkalimet e tjera të parashikuara në kontratë”.

“Në prill të vitit 2018 pasi ishte marrë miratimi dhe ishte bërë alokimi i fondeve shpallet procedura për dhënien me koncesion të rrugës Thumanë-Kashar me 13 vite me fond limit 245 milionë euro, me detyrimin financiar që shteti t’i bënte një pagesë fikse vjetore e cila do të përcaktonte me ofertën e paraqitur. Me këtë procedurë shpallet fitues kompania Gener 2 me ofertë 225 milionë euro”, theksoi Hoti.

Hoti kërkoi shpjegime nëse ka pasur një kërkesë nga Ministria e Financave për anulimin e procedurave apo ajo është iniciuar nga institucioni që drejton Balluku dhe pse që nga tetori në janar kjo kontratë është mbajtur në sirtarët e ministrisë dhe nuk është dërguar për miratim në Këshillin e Ministrave.

“Sipas deklarimeve në media keni argumentuar në media se fondet për rrugën Thumanë –Kashar do të përdoreshin për paktin me studentët. Kërkoj të informohem nga ministrja sa ishte fondi i parashikuar në vitin 2019 dhe në vijim për  rrugën Thumanë-Kashar dhe sa është fondi i alokuar nga qeveria shqiptare për paktin me studentët në vitin 2019”, nënvizoi Hoti.

Hoti tha se “pse ministrja nuk e zbatoi vendimin e gjykatës së apelit Administrativ, i cili ju detyronte të dërgonit kontratën e vitit 2018 në Këshillin e ministrave pasi ky ishte i vetmi organ që kishte tagër për të mos miratuar kontratën e firmosur nga ministri i Infrastrukturës”.

“Cili ka qenë rekomandimi i dhënë nga ministria e financave për këtë VKM dhe marrëveshjen e firmosur MIE-s dhe koncesionarit”, pyeti ajo./ata