Kryekomsioneri Ilirjan Celibashi ka bërë me dije se ditën e sotme do të përfundojë procesi i numërimit për zgjedhjen e kandidatëve për kryetar bashkie. Deri tani tha Celibashi ka përfunduar procesi i numërimit për 34 bashki. Celibashi u shpreh se nga shifrat e verifikuara deri më tani në çdo qendër votimi rezulton se pjesëmarrja ka qenë 37%, ndërsa shtoi se shifra e saktë do të publikohet në orën 22:00 të mbrëmjes së sotme.

 

“Rezultatin zyrtar të pjesëmarrjes do ta kemi në orën 22:00 duke shpresuar që mund ta kemi edhe pak më herët nëse do procesojmë më shpejt. Sepse ne mbledhim të dhëna nga çdo qendër votimi dhe nga këto të dhëna nxjerrim realisht sa ka qenë pjesëmarrja. Deri tani rezulton se ka qenë 37% për aq qendër votimi në të cilat deri tani janë numëruar. Kam nevojë të sqaroj diçka për pasqyrimin e rezultateve në KQZ, në dallim nga informacionet që mund të merrni nga partitë politike, KQZ bën verifikim për çdo qendër votimi. Sistemi nuk të lejon të hedhësh të dhëna që kanë konflikte logjike. Nëse ti vendos numrin e votuesve më të madh se numrin e zgjedhësve sistemi nuk e pranon. Nëse do të vëreni një tabelë mund të shikoni një rast që ka probleme në Tiranë. Rreth 40% e votuesve që janë në listën e zgjedhësve banojnë jashtë territorit yë republikës së Shqipërisë”, tha Celibashi.

Ai u shpreh se ka pasur një ndërprerje të procesit të numërimit në Kavajë, për shkak se komisionerët kanë pasur një situatë konfliktuale me njëri tjetrin.

 

“Komisionerët janë një situatë konfliktuale me njëri tjetrin dhe jemi duke punuar për të verifikuar sa qëndron problematika” , u shpreh ai.