Drejtori i Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj ka hedhur poshtë akuzën e kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili pretendoi gjatë debatit parlamentar se është emëruar si drejtues policie, nga bandat kriminale.
Në një reagim të tij, kreu i Policisë së Shkodrës, Sulaj, ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj Gazment Bardhit.
“Lidhur me disa insinuata për emërimin tim drejtor të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, unë ndiej përgjegjësinë morale dhe profesionale të sqaroj opinion publik se këto deklarata të bëra sot, janë shpifje, të pabazuara dhe synojnë që të cenojnë figurën time në këtë proces të rëndësishëm të hapjes së konkurseve për pozicionet drejtuese në Policinë e Shtetit”, tha Sulaj.
Ai sqaroi opinionin publik se si Drejtuesi i Parë u emërua në pozicionin e drejtorit të policisë së Shkodrës në datë 11.10.2023. “Sqarohet qartësisht se emërimi im, është kryer rreth 3 vite më vonë se periudha kohore së cilës i referohet deklaruesi”, u shpreh Sulaj.
“Në vijim, informoj se do të procedoj me hapat ligjorë që parashikon ligji në fuqi, përfshirë edhe depozitimin e një kallëzimi penal”, deklaroi Sulaj./ata