Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në  takimin falënderues për rezultatin e zgjedhjeve vendor të 14 majit në Selenicë, tha se “Bashkia e Selenicës do të ketë mbështetjen e qeverisë”.

 

Rama falënderoi ekipin e fushatës në Selenicë. “Dua të falënderoj në mënyrë të posaçme me shumë respekt, deputetin tuaj Vullnetin, i cili është një shembull i jashtëzakonshëm për faktin se i është përkushtuar misionit të deputetit, duke e bazuar të gjithë punën e tij këtu në territor, me njerëzit, për njerëzit dhe duke u bërë besoj unë, njohësi më i thellë i gjithë problemeve dhe i të gjitha halleve të kësaj zone dhe të gjitha familjeve të kësaj zone. Është vërtetë privilegj që të kesh në krah deputetë si Vullnet Sina dhe kjo është dhe arsyeja pse unë ia duroj me shumë heroizëm të gjithë çekanët që bien mbi kokën time sa herë që vullneti flet me mua, sepse kurrë deri më sot për hir të vërtetës, nuk më ka kërkuar gjënë më të vogël për vete apo për sipërmarrjen e tij, por vetëm për problemet e zonë dhe për hallet e njerëzve të kësaj zone”, tha Rama.

 

Kryeministri u shpreh se “fitorja nuk është një qëllim në vetvete por është një mundësi që na jep besimi juaj, mbështetja juaj që ne të bëjmë edhe më shumë për ju, për familjet tuaja, për komunitetin dhe zonën tuaj. Kështu që faleminderit shumë të gjithëve me shumë mirënjohje!”.

 

“Dua të falënderoj edhe ata që e ndjejnë veten djathtas, nuk kanë dëshirë ta konsiderojnë kapërcimin e kufirit mes të majtës e të djathtës, na shohin ne si një forcë politike me të cilën nuk mund të bashkohen por ama nga ana tjetër, në 14 maj bën një hap të mençur disa duke votuar për kandidatët tanë, disa të tjerë duk mos dalë fare në votim dhe mos dalja në votim e një pjese të tyre është kontributi më i rëndësishëm që ata kanë dhënë për të ardhmen e vendit tonë sepse nuk pranuan që ta ndynë dorën duke shkuar në votim për ta vënë kryqin e votës së tyre tek një bashkim hijes të të shkuarës të cilat janë aty për ta tërhequr Shqipërinë vetëm prapa, por që dështuan e do të vazhdojnë të dështojnë sepse ne do të shkojmë vetëm përpara”, theksoi Kryeministri.

 

“Natyrisht që ju e dini shumë mirë, në asnjë familje, në asnjë kolektiv, në asnjë komunitet dhe në asnjë shtet edhe në shtetin më të zhvilluar e të pasur të botës, në Amerikë mundësitë nuk janë aq sa nevojat. Nevojat, problemet, kërkesat janë gjithnjë më të mëdha se mundësitë. Aspiratat janë gjithmonë përtej mundësive dhe nevojat ,kërkesat, problemet e Shqipërisë dhe të gjitha komuniteteve, përfshirë këtu edhe bashkinë e Selenicës, janë më të mëdha se mundësitë. Ne do të bëjmë çmos për të plotësuar sa më shumë nevoja por askush, asnjëherë nuk është në gjendje të plotësojë të gjitha nevojat. Ama ka një gjë që und të plotësohet 100%, pa asnjë firo, pa asnjë mangësi, pa asnjë rezervë, nga ana e kujtdo që qeveris dhe në radhë të parë nga ana e çdo kryetari bashkie dhe çdo bashkie që është shtëpia e komunitetit dhe kjo gjë është njerëzillëku me të gjithë qytetarët pa dallim. Kjo gjë është të jesh në dispozicion të njerëzve dhe ta bësh moto tënden atë që populli shqiptar e thotë shumë bukur, hallin që nuk ma zgjidh, të paktën ma qaj sepse njerëzit mbi çdo gjë tjetër kanë nevojë për njerëzillëk, kanë nevojë solidaritet kanë nevojë për dikë që i dëgjon e dikë që i kupton”, tha Rama.

 

“Dikujt që na e zgjidh një hall i themi një herë faleminderit. Dikujt që na e qan një hall i themi 10 herë faleminderit. Për këtë arsye, pika e parë e programit të qeverisjes vendore të Partisë Socialiste që doli nga 14 maji me rezultatin më të lartë historik, duhet të jetë njerëzillëku, prandaj vjen infrastruktura, shërbimet e kështu me radhë”, vijoi ai.

 

“Kam shumë besim që rruga e lumit të Vlorës siç ka sjellë rritjen e menjëhershme të vlerës së tokave do të sjellë dhe rritjen e vlerës së ekonomisë së zonës sepse jam i bindur që është një luginë e cila në vitet e ardhshme do të kthehet në një destinacion turistik sepse është një mrekulli e vërtetë dhe do të jetë një zonë komplementare me bregun e detit dhe do të jetë një territor ku shumëkush do të preferojë të vijë atje përpara se sa të shkojë në bregun e detit. Kështu që le të vazhdojmë punën. Jini të bindur që ne do të vazhdojmë ta mbështesim me të gjitha mundësitë tona bashkinë e Selenicës e do të vazhdojmë të mbështesim fermerët, prodhimin, agropërpunimin dhe patjetër agroturizmin që duhet të jetë motoja e punës së përditshme të Nertilit,  Vullnetit dhe të gjithëve ne”, tha Rama.