Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha deklaroi sot se Edmond Sulaj u zgjodh drejtor i Policisë së Shkodrës sipas meritës me konkurs.
Në Kuvend, Hoxha reagoi lidhur me akuzat e kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili sot në seancën plenare publikoi një komunikim në SKY ECC, që sipas tij tregon se drejtori i policisë së Shkodrës është emëruar nga bandat.
“Edmond Sulaj është me gradën drejtues i parë dhe aktualisht mban postin e drejtorit të Policisë në Shkodër. Në vijimësi të karrierës time profesionale në vitet 2009 dhe 2011 kam pasur nderin të punoj me drejtuesin e parë Edmond Sulaj, i cili aktualisht mbulon detyrën e drejtorit të Policisë Shkodër dhe është një nga oficerët në karrierë, i cili ka treguar aftësi dhe integritet gjatë gjithë karrierës së tij”, u shpreh ministri Hoxha
“Ai ka 27 vite punë dhe besoj se edhe deputeti Braçe ju bëri me dije për mënyrën se ai e gjykon ushtrimin e kësaj detyre dhe përgjegjësinë që ai mban për këtë detyrë. Ndërkohë që në SKY ECC paraqitet një bisedë që i përket vitit 2021 më lejoni t’ju shpjegoj se Edmond Sulaj ka marrë detyrën e drejtorit të Policisë së qarkut në vitin 2023”, tha Hoxha.
Bardhi iu drejtua ministrit Hoxha se “nuk përmenda raportin e EUROPOL. Nuk e di ca hyn këtu. Iu referova dokumenteve zyrtare që ndodhen në dosjet e SPAK”./ata