Në nisje të Javës së Kulturës Turke, në ambientet e Qendrës "Sotir Kolea" të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë u hap ekspozita me titull “Copëza nga Kultura Turke”, organizuar nën kujdesin e Institutit “Yunus Emre - Tiranë" dhe Ambasadës së Türkiyes në Tiranë, ku ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të ndryshme turke dhe shqiptare, studiues, nxënës dhe studentë.

Në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, zv.ministri turk i Tregtisë, Mahmut Gürcan, u shpreh se Shqipëria është një shtet me të cilin Türkiye i ka lidhjet shumë të vjetra dhe shtoi se Shqipëria është bërë një shtet shumë i rëndësishëm në Ballkan.

"Shteti jonë, nën kryesimin e Presidentit Recep Tayyip Erdoğan ka bërë shumë vepra të mira dhe ka bërë Türkiyen një shtet shumë të mirë, si nga ana ekonomike dhe nga ana e infrastrukturës. Në të njëjtën kohë, nuk e ka harruar as kulturën turke", tha Gürcan.

Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, në fjalën e tij ftoi të pranishmit të ndjekin aktivitetet që do të mbahen në kuadër të Javës së Kulturës Turke, ndërkohë ai falënderoi drejtuesit e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë për mbështetjen për hapjen e ekspozitës.

"Türkiye dhe Shqipëria janë dy shtete me marrëdhënie strategjike. Kemi një histori që e kemi të përbashkët qindra vjeçare. Viti që kaloi shënuam 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve tona. Këto veprimtari i kemi shumë të rëndësishme ndërmjet dy shteteve", tha Atay.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Piro Misha, në fjalën e tij e konsideroi ekspozitën një ngjarje të rëndësishme. "Në emër të Bibliotekës(Kombëtare të Shqipërisë) shpreh gëzimin tim që patëm mundësinë të ndihmojmë për organizimin e aktivitetit. Është një aktivitet në vazhdën e një sërë aktivitetesh që ne kemi me Türkiyen, sidomos me Bibliotekën Kombëtare të Türkiyes, me të cilën ne kemi një marrëveshje prej disa vitesh", tha Misha.

Drejtori i Institutit "Yunus Emre" për Shqipërinë, Oğuzhan Sakoğlu, në fjalën e tij theksoi se Instituti ka marrë këtë emër pikërisht për të përçuar mesazhin universal të Yunus Emresë. “Falë kësaj ekspozite shohim nga afër se sa pranë njëri-tjetrit janë dy popujt tanë", tha Sakoğlu.

Ekspozita e cila do të qëndrojë e hapur deri më 15 shtator përmban fotografi me përshkrime nga sitet arkeologjike, arkitektura, historia, arti dhe qytetet në Türkiye.

Në kuadër të Javës së Kulturës Turke u organizua edhe koncerti me titull “Perlat e muzikës turke”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve turke, artistëve dhe artdashësve të kryeqytetit të Shqipërisë, ndërkohë i njëjti koncert nesër do të mbahet në qytetin e Durrësit. Në aktivitetin kulturor të organizuar në sallën e koncerteve "Tonin Harapi" në Liceun Artistik në Tiranë, vepra të Ahmet Adnan Saygun dhe Ulvi Cemal Erkin, në fushën e kompozimit të muzikës turke, u vendosen në skenë nga artistët e Operës dhe Baletit Shtetëror të Istanbulit.

Java e Kulturës Turke (12-15 shtator) organizohet në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare, nismë e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë, mbështetur edhe nga institucione të tjera kulturore./aa

 

Image
Image