Në Shkup është mbajtur konferenca me titull “E ardhmja e Evropës dhe Ballkanit”, nën organizim të Lidhjes së Organizatave Joqeveritare Turke të Maqedonisë (MATÜSITEB).
Moderator i konferencës ishte deputeti në parlamentin e Maqedonisë së Veriut, Salih Murat, ndërsa në të folën ish-kryeparlamentari i Türkiyes, Mustafa Şentop, ish-kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi dhe kryetari i MATÜSITEB-it, Tahsin Ibrahim.
Şentop foli para pjesëmarrësve të konferencës, duke theksuar se, “Ne jemi fëmijë të këtij vendi dhe prandaj zemrat tona janë gjithmonë këtu dhe ne vijmë këtu sa herë që kemi mudnësi”.
Duke iu referuar luftës ruso-ukrainase dhe sulmeve izraelite në Rripin e Gazës, Şentop tha se ka tension serioz në Lindjen e Mesme.
Ndërkaq, deputeti Murati në fjalën e tij ish-kryeparlamentarin Şentop e quajti “mik të përhershëm të Maqedonisë së Veriut”.
Xhaferi, nga ana e tij, theksoi se konferenca ishte produktive me temat e saj për të ardhmen e Evropës dhe Ballkanit.
Para të pranishmëve u drejtua edhe kreu i MATÜSITEB-it, i cili tha se në konferencë u diskutua për të ardhmen e Evropës dhe Ballkanit. Në fjalën e tij, ai përmendi se mijëra studentëve në Maqedoninë e Veriut u është “uzurpuar e drejta për t’u arsimuar në gjuhën e tyre amtare.
Në panel morën pjesë përfaqësues të Ambasadës së Türkiyes në Shkup dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend./aa