Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani bëri të ditur se ndryshimet në ligjin “Për marrëvehjset ndërkombëtare“ vijnë si domosdoshmëri në kushtet kur, si ligji i mëparshëm, ashtu edhe ai ekzistues, nuk kanë pasur një rregullim të tillë, ku t’u mundësohet autoriteteve shqiptare nxjerrja e akteve të brendshme për zbatimin e marrëveshjeve, në përputhje me kërkesat ligjore të parashikuara nga Kushtetuta, aktet ndërkombëtare, ku është palë Republika e Shqipërisë.
Ky projektligj, tha ai, propozon një shtesë në ligjin, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me qëllim përmirësimin e tij në funksion të zbatimit të marrëveshjeve ndërkombëtare të lidhura nga institucionet shtetërore të Republikës së Shqipërisë.
Ajo çfarë synohet të arrihet me këtë ndërhyrje, shtoi ai, është dhënia e mundësisë Këshillit të Ministrave dhe/ose titullarëve të institucioneve, që, në varësi të angazhimeve që merren përsipër nga marrëveshjet, të nxjerrin akte nënligjore për të përcaktuar rregulla më të hollësishme për zbatimin në praktikë për palën shqiptare të këtyre marrëveshjeve
Gjatë kësaj periudhe, theksoi ministri, janë vërejtur paqartësi në procedurat e zbatimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, veçanërisht për ato marrëveshje, që prekin fushën e përgjegjësisë së dy apo më shumë institucioneve dhe që lidhen me zbatimin e tyre, në kuptim të caktimit të përgjegjësive dhe të detyrave konkrete të secilit institucion zbatues.
“Një element tjetër, që ka çuar në ndërmarrjen e kësaj nisme është dhe kuadri ligjor i brendshëm i ndryshuar dhe i përafruar me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Eksperienca e deritanishme ka sjellë domosdoshmërinë e lehtësimit të procedurave të zbatimit të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe rritjen e përgjegjësisë së ministrive kompetente në këtë proces, duke shmangur zgjatjen e procesit të zbatimit të tyre”, deklaroi ministri Hasani./ata