Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali deklaroi sot se nxitja e bashkëpunimit rajonal konsiderohet nga Shqipëria si faktor themelor për përshpejtimin e procesit të integrimit europian në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Nën kujdesin e Kryetares së Kuvendit, në sallën e seancave plenare zhvilloi sot punimet mbledhja e Asamblesë Parlamentare të Nismës për Europën Qendrore.

Kryetarja e Kuvendit vlerësoi se 28 vjet pasi iu bashkua kësaj nisme, Shqipëria është sot një anëtare aktive dhe protagoniste e e spikatur për nxitjen e ndërveprimit mes anëtarëve të Nismës dhe mes organizatave të tjera rajonale, kontinentale e globale.

Spiropali u ndal te ecuria e procesit të integrimit europian të vendit, ndërsa theksoi se Shqipëria është në pritje të konferencës së dytë qeveritare.

“Vlerësojmë se mbështetja dhe bashkëpunimi proaktiv i shteteve anëtare të BE-së mbetet vendimtare për përparimin tonë në rrugën drejt integrimit europian. Për ne integrimi europian është zgjidhja e vetme”, tha Spiropali.

Duke u ndalur në fushën e turizmit dhe kulturës, Kryetarja e Kuvendit theksoi se përveç shënimit të një zhvillimi të vrullshëm turistik të vendit, është avancuar në përpjekjet për të ta kthyer rajonin në destinacion kryesor turistik.

“Ne synojmë të zhvillojmë një paketë gjithëpërfshirëse turizmi që shkon përtej turizmit klasik të vizitave të zonave detare dhe malore apo zonave arkeologjike, duke shtuar turizmin gastronomik dhe atë mjekësor”, shtoi Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit theksoi po ashtu se vitet e fundit Shqipëria ka qenë një protagoniste e rëndësishme e kontributeve për siguri e paqe.

“Presidenca e OSBE 2020 si edhe anëtarësia në Këshillin e Sigurimit gjatë viteve 2022-2023, kanë dëshmuar lidershipin e vendit tonë për mbrojtjen e paqes dhe garantimin e sigurisë, luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, kundërshtimin e agresionit të Rusisë kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, vendosjen e paqes në Lindjen e Mesme dhe në rajonet e trazuara të botës etj.”, shtoi ajo.

Kryetarja e Kuvendit theksoi po ashtu se, “Shqipëria është bërë sot një vend që prodhon kohezion, siguri, paqe dhe miqësi mes kombeve e popujve”.

“Me zhvillimet e saj të brendshme, rritjen ekonomike të qëndrueshme, kontributin në zhvillimet dhe integrimet rajonale, partneritetin si anëtare e denjë e NATO-s, arritjet drejt anëtarësimit në BE dhe kontributet e përmendura më sipër, Shqipëria është bërë sot një vend që prodhon kohezion, siguri, paqe dhe miqësi mes kombeve e popujve”, tha ajo.

Po ashtu, Spiropali theksoi se, “ne kemi nxitur e po nxisim rolin thelbësor të parlamenteve në demokraci, të fuqizojnë funksionet legjislative e mbikëqyrëse dhe të mundësojnë një përfaqësim efektiv të të gjithë aktorëve të shoqërisë”.

“Shqipëria e konsideron Iniciativën e Europës Qendrore një nxitëse të dialogut politik, vlerave demokratike, sundimit të ligjit, mbrojtjes së të drejtave e lirive themelore, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, mbështetëse të paqes, stabilitetit, sigurisë dhe progresit ekonomik të shteteve anëtare. Për këto qëllime fisnike kemi vijuar dhe do të vijojmë të punojmë”, shtoi ajo./ata