Në mjediset e Prefekturës Korçë u zhvillua takimi i parë i Komitetit Pilotues për bashkëpunim mes institucioneve qendrore e vendore për të punuar lidhur me projektin e çeljes së Liceut Francez të Korçës.

Prefekti Nertil Jole priti ambasadoren e Francës në vendin tonë, Catherine Suard, shoqëruar nga Pierre Raynaud, Këshilltarin për Bashkëpunimin dhe Kulturën në Ambasadën Franceze në Shqipëri si dhe ekspertin e qeverisë franceze, Jérôme Lebars, që tashmë është i atashuar në institucionin e Prefekturës Korçë.

Për realizimin e detyrës së ngarkuar nga kryeministri Rama, institucioni i prefektit do të mbështesë ekspertin francez dhe do asistojë nga afër procesin, si edhe do të sigurojë ndihmën dhe bashkëpunimin e institucioneve në nivel qëndror dhe vendor.

Prefekti Jole u shpreh se, ky projekt është vazhdë e traditës së miqësisë më të mirë mes dy vendeve tona dhe do të zgjerojë hapësirën për një perspektivë të re për shumë të rinj të qarkut të Korçës e më gjerë, të cilët në të ardhmen mund të zgjedhin këtë shkollë për arsimin e tyre të mesëm, duke i krijuar vetes mundësinë edhe për studime universitare në Francë.

Në këtë takim morën pjesë të gjithë anëtarët e tjerë të këtij komiteti, si përfaqësuesja nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, Zamira Gjini, kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, kryetari i Këshillit të Qarkut, Erjon Nexhipi, drejtoresha e DRAP, Vinjola Rota, drejtuesit e Aleancës Franceze e shumë të tjerë./ata