Tregtia ndërkombëtare e shërbimeve është rritur me 14% në terma vjetorë, duke e mbyllur tremujorin e dytë me një balancë prej 864 milionë eurosh. Kjo tregti i referohet shkëmbimit të shërbimeve me vendet e tjera, në rritjen e të cilës kanë kontribuar eksportet e shërbimeve të turizmit, transportit dhe biznesit.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vëllimi i transaksioneve tregtare në shërbime u rrit me rreth 18% në terma vjetorë. Kjo ecuri u diktua nga zgjerimi i vëllimit tregtar në shërbime udhëtimi dhe transport, për shkak të rritjes së konsiderueshme të numrit të vizitorëve të huaj në Shqipëri, por edhe përmbushjes së ofertës turistike.

Gjatë tremujorit të dytë 2024, eksporti i shërbimeve të udhëtimit i ka siguruar ekonomisë vendase rreth 1,16 miliardë euro. Nga ana tjetër, udhëtarët rezidentë (shqiptarë dhe të huaj) kanë shpenzuar në udhëtimet e tyre jashtë vendit 688 milionë euro për akomodim, ushqim, ture dhe transport gjithashtu.

Shërbime të tjera biznesi rezultuan me bilanc pozitiv prej 125 milionë eurosh, një rritje vjetore prej 35%. Shkak i kësaj rritjeje mund të jetë zgjerimi në llojet ose volumin e shërbimeve të ofruara siç janë konsultim, teknologji informacioni, shërbime financiare apo ligjore. Për tremujorin e dytë të vitit, flukset valutore hyrëse për ekonominë shqiptarë nën këtë kategori shërbimi, shënuan rreth 149 milionë euro.

Si rezultat i flukseve të larta hyrëse të shtetasve të huaj dhe shqiptarë, sidomos përmes përdorimit të linjave ajrore, vetëm sektori i shërbimeve të transportit ka fituar 41 milionë euro më shumë përgjatë tremujorit të dytë të vitit./Scan