Në një takim informal që zgjati për rreth 3 orë e gjysmë, deputetët e Partisë Socialiste kanë diskutuar strategjitë e komunikimit dhe angazhimin e ligjvënësve të mazhorancës në dy dimensione kryesore: marrëdhëniet me elektoratin dhe angazhimin në jetën parlamentare.
Deputetëve socialistë u është kërkuar që të përforcojnë komunikimin me qytetarët jo vetëm në mënyrë fizike, por edhe përmes rrjeteve sociale. Ky hap është menduar për të mbështetur investimet dhe projektet e qeverisë.
Raportohet po ashtu se Majlinda Dhuka, kryenegociatore për ntegrimin evropian, ka bërë një pasqyrë të zhvillimeve të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Ajo theksoi se, ndonëse ka ende shumë për të bërë, është e pritshme që në muajin tetor të shpallet një vendimmarrje për thirrjen e konferencës së dytë ndërqeveritare. Kjo konferencë do të shënojë hapjen e kapitujve të parë themelorë të negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimi Evropian.
Ndërkohë, Fatmir Xhafaj, kryetar i Komisionit të Posaçëm për Mirëqeverisjen dhe Antikorrupsionin, ofroi një përditësim mbi aktivitetin e komisionit që ai drejton. Xhafaj theksoi mbështetjen e fortë që komisioni ka marrë nga SHBA dhe BE dhe konfirmoi se puna e komisionit do të vazhdojë edhe në mungesë të opozitës, e cila aktualisht nuk është pjesë e këtij organi dhe nuk pritet të jetë në të ardhmen./BalkanWeb