Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, tha sot se janë 470 aplikantë që kanë shprehur ambicien e tyre për të qenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste përmes platformës “Deputeti që duam”.

Gjatë aktivitetit, ku ishte i pranishëm dhe kryeministri, njëherazi kryesocialisti Edi Rama, Muzhaqi tha se kjo është një sfidë, pasi nga sot nis një rrugëtim i ri për të gjithë aplikantët, pasi tashmë do të punojnë për të ndërtuar një imazh publik, që do të jetë një vlerë e shtuar për Partinë Socialiste.

“U bëjë thirrje të gjithë atyre që besojnë se mund të japin më shumë, për të rinjtë që duan të sfidojnë politikanët nga ekranet, për gratë dhe vajzat që luftojnë për barazi, për profesionistët që kanë dijeni dhe eksperiencë për të ndarë dhe për të gjithë ata që duan të kontribuojnë për një Shqipëri më të mirë, platforma “Deputeti që duam”, është gjithnjë e hapur”, – tha Muzhaqi.

“Pas këtij takimi, ju do të nisni punën tuaj në terren, duke folur me qytetarët dhe duke krijuar një profil publik të denjë për t’u përfaqësuar në politikë. Do tregoni se çfarë përfaqësoni dhe përse duhet të jeni ju ata që duhet të përfaqësojnë shqiptarët, komunitetin tuaj. Kjo do të jetë një vlerë e shtuar për Partinë Socialiste dhe Shqipërinë”, – tha Muzhaqi.

“Jo të gjithë ju do të jeni pjesë e listës së kandidatëve të PS, pasi 470 aplikantët aktualë do të ishin më shumë se tre kuvende bashkë, prandaj sfida është e madhe dhe konkurrenca e lartë”, – u shpreh Muzhaqi./ata