Kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në radio debatin e “World Questions” e organizuar nga BBC, nën moderimin e gazetarit Jonny Dymond, ka folur për largimin e të rinjve nga vendi.

Basha është shprehur se sot jemi në mesin e një krize besimi dhe shprese në vendin tonë, dhe arsyeja është se sistemi politik ka dështuar karshi qytetarëve, e në veçanti ndaj të rinjve.

Ai më tej tha se tre janë problemet kryesore si pasojë e kësaj situate: mundësia, meritokracia, barazia para ligjit. Sipas tij, politika 34 vite u ka hequr të drejtën të rinjve që të jenë pjesë e politikës, të merrnin pjesë në zgjedhje si kandidatë, të ishin në gjendje t’i ofronin shërbimin e tyre vendit.

Basha tha se në fund të korrikut, “Partia Socialiste, në pushtet prej 11 vitesh, dhe një pjesë e opozitës bashkuan votat kundër një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për të mbyllur listat, që do u mundësonin të rinjve të ishin pjesë e politikës, të merrnin pjesë në zgjedhje si kandidatë, të ishin në gjendje t’i ofronin shërbimin e tyre vendit”.

“Kjo është prova e fundit por jo e vetmja e një kaste politike që për interesat e veta i kundërvihet interesave të shoqërisë e në veçanti kundër të rinjve të cilët si rezultat largohen drejt Perëndimit në kërkim të mundësive, meritokracisë dhe barazisë para ligjit”, tha Basha.

Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në radio debatin e “World Questions” e organizuar nga BBC,  u pyet edhe se si mund ndalojë Shqipëria korrupsionin. Ai tha se nuk ka vullnet politik për të luftuar korrupsionin.

“Mungesa e vullnetit politik e ka çuar problemin e korrupsionit në nivele të paprecedenta për Shqipërinë, në nivele të paprecedenta për Ballkanin”, tha ai.

“Ne kemi propozuar veting për politikanët, verifikime vjetore të aseteve të politikanëve, të familjarëve të tyre dhe bashkëpuntorëve të ngushtë. Verifikime vjetore për ato që cilësohen si kontakte të papërshtatshme në rastin e magjistratëve, verifikime të kontakteve të papërshtatshme për politikanët nëse kanë apo nuk kanë kontakte me bosët e krimit të organizuar, bashkëpunojnë apo jo me botën e krimit për përfitime politike, janë apo jo të korruptuar, e justifikojnë apo jo mirëqenien e tyre e të familjarëve të tyre dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Ky ligj, propozimi që kemi dorëzuar, mbahet i bllokuar në parlament prej 15 nëntorit”, tha Basha./ata