Kryeministri, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama, çeli sot fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit në Mallakastër.

 

Rama prezantoi kandidatin e PS-së në Mallakastër, kryetarin aktual të bashkisë, Qerim Ismailaj, ndërsa u ndal tek investimet që janë kryer në këtë bashki.

 

“Sot mund të shikojmë edhe të shkuarën e afërt me sytë e kujtesës, por edhe mund të jemi të mbushur me optimizëm për të parë nga e ardhmja. Sepse këtu ka qenë një aks kryesor i qytetit të Ballshit me gropa, baltë, pluhur dhe natyrisht me asnjë hapësirë të denjë për qytetarët”, tha Rama.

 

Kryeministri vuri në dukje se, sot Ballshi ka një bulevard të bukur, falë mundësisë që qytetarët dhanë me votë.

 

“Ballshi është një qytet që ka ndryshuar si nata me ditën edhe kur dilet përtej bulevardit. Janë bërë investime të rëndësishme dhe tani po mbyllet ujësjellësi, i cili nga qershori do të fillojë të sjellë 24 orë ujë të pijshëm. Ujësjellësi i ri ishte kërkesë e kahershme e plotësuar”, tha ai.

 

Rama siguroi se, të tjera vepra të infrastrukturës do të vazhdojnë, për të shkuar në nivel tjetër zhvillimi.