Stafin teknik të mallakastriotëve e ka lënë të pakënaqur edhe mënyra si u pësuan dy golat. Megjithatë, ajo që ka kaluar nuk kthehet më dhe fokusi tashmë është te ndeshja me kampionët në fuqi të Egnatias, që luhet të dielën, në orën 16:00, në stadiumin e Rrogozhinës. Bylisi duket se do të shkojë i plotë në këtë transfertë të vështirë, ku synon që të ruajë ecurinë e rezultateve pozitive.
Ka punuar shumë në aspektin psikologjik me skuadrën trajneri Emanuel Egbo dhe stafi i tij, pasi ka analizuar gjatë sfidën me Tiranën. Për përballjen e së dielës me Egnatian, trajneri i Bylisit ka folur për “Panorama Sport”, duke theksuar se skuadra e tij duhet të jetë vigjilente dhe të luftojë fort për çdo pikë, pavarësisht se kua luan.
“Na ka mërzitur shumë mënyra se si na shkoi ndeshja me Tiranën, sepse nëse duhej të kishte fitues, duhej të ishim vetëm ne. Bëmë lojë dhe krijuam raste, por edhe qarkulluam mirë topin. U ndëshkuam në dy episode dhe për këtë duhet që të reflektojmë, sepse çdo pikë për ne është shumë e vlefshme dhe e shenjtë. Ekipi javë pas jave po konsolidohet, ndonëse kemi bërë edhe lëvizje dhe ndryshime në formacion. Më duhet të them se gara është e gjatë dhe e hapur, por duhet të jemi vigjilentë dhe shumë të kujdesshëm në vijim, duke filluar që nga ndeshja e radhës me Egnatias.
Çdo ndeshje është ndryshe dhe Egnatia meriton respekt, jo më kot është ekipi kampion në fuqi dhe në pozita komode në tabelën e klasifikimit. Duhet të japim maksimumin, e rëndësishme është që nuk kemi mungesa në këtë transfertë mjaft delikate. Javë pas jave ekipi po rritet në lojë dhe besoj se do të jemi më mirë në ndeshjen e radhës në këtë aspekt. Jemi ekip që ka pasur shumë prurje, grupi po punon dhe po harmonizohet. Në çdo ndeshje duhet të japim shume nga vetja për të marrë rezultate pozitive. Pak rëndësi ka ku luajmë dhe kundër kujt luajmë, duhet të bëjmë lojën tonë”, tha trajneri Emanuel Egbo në prag të sfidës me Egnatian.
Ballshiotët kanë përgatitur skuadrën dhe skemat për ndeshjen e nesërme. Mund të ketë edhe ndryshime, duke pasur parasysh mënyrën si luan Egnatia. Pritet që trajneri Egbo të hedhë në fushë ekipin e javëve të fundit, që ka shkuar mirë. Ofori pritet të jetë sërish titullar, ndërkohë mund të ketë ndonjë lëvizje në ofensivë. Me shumë gjasa, Bylisi do ta nisë transfertën rrogozhinase me skemën 4-1-4-1./BalkanWeb