Çarshia e Vjetër e Shkupit tërheq vëmendjen me rritjen e numrit të turistëve nga rajoni dhe më gjerë.
Çarshia e Vjetër me kalldrëmin e saj, atmosferën dhe me dyqanet e saj piktoreske gjithmonë ka qenë tërheqëse për njerëzit vendas dhe për turistët e huaj. Ajo shtrihet nga Ura e Gurit deri tek Bit Pazari dhe Kalaja.
Historia e çarshisë shkon deri në shekullin e 12, ku janë gjetur burime që njoftojnë për ekzistencën e një lagjeje tregtare në të njëjtin lokacion me atë të sotëm. Por formën që ka sot ajo e mori në periudhën pas çlirimit nga Perandoria Osmane.
Në Çarshi të Vjetër edhe sot e kësaj dite ekzistojnë dhjetëra objekte nga ajo periudhë. Si më e vjetra llogaritet Tyrbja e Jigit Pashës dhe Meddah Babës në hyrje të çarshisë, dhe po ashtu edhe xhamitë e ndërtuara pas saj, si Xhamia Mustafa Pasha, Xhamia Murat Pasha e Xhamia Arasta.
Një numër i konsiderueshëm i mesxhideve dhe objekteve islame në çarshi janë rrënuar në periudha të ndryshme.
Krahas xhamive, në çarshi gjenden edhe kisha, disa hane (bujtina antike), muze, sahat kulla, restorante, hamame, dyqane artizanale dhe shumë kafene me sharm lindor dhe perëndimor.
- “Në Shkup i gjeta paraardhësit e mi”.
Në Çarshi të Vjetër pothuajse në çdo cep gjen turistë. Në një prononcim për Anadolu, Hasan Arslan, i ardhur nga Türkiye, tha se është shumë i emocionuar që ndodhet në Shkup.
“Vijmë nga Düzce, kemi një grup të bukur nga Türkiye. Shkupi na emocionoi. Është me të vërtetë një qytet historik. Jemi të lumtur që gjenden këtu gjurmët osmane. Mërzia jonë është se një ditë, ndoshta nuk do të na mjaftojë këtu. Por për ata që duan të shohin veprat e paraardhësve tanë osmanë këtu, duhet ta vizitojnë patjetër. Falënderojmë veçanërisht Anadolun për takimin me ne. Jemi të emocionuar ta përjetonim këtë atmosferë këtu”, tha Arslan.
Pınar Demirtaş, një tjetër turiste, tha se në Shkup ka gjetur "paraardhësit" e saj.
"Edhe pse larg, unë u ndjeva si në atdheun tim. U emocionova shumë. E paskeni ruajtur mirë (historinë). Jemi të lumtur që jemi këtu. Është shumë bukur të dëgjosh ezanin në një vend tjetër dhe të shohësh gjurmët e të parëve tanë këtu dhe ta përjetosh atë ndjenjë. Është dita e dytë këtu, jemi shumë të gëzuar. U jemi mirënjohës. Njerëzit këtu janë të mrekullueshëm, të gjithë flasin turqisht. Nuk e besoja se do të ndodhte kështu. U ndjeva sikur të isha në atdheun tim”, tha Demirtaş.
Po ashtu edhe turisti Metin Duyar u shpreh i befasuar nga atmosfera e çarshisë.
“Dje ishim në Greqi dhe mbrëmë erdhëm në Shkup. Shkupi na befasoi që në momentin kur hymë. Na dha atmosferën e Türkiyes. Njerëzit të ndihmojnë. Ata ndajnë gjithçka me ne. Ne ecim këtu sikur të ishte qyteti ynë. Vizituam xhamitë, këtu paska rreth 35 xhami, kjo na gëzoi. Kjo është pjesë e Perandorisë Osmane. Jam shumë i lumtur që e pashë këtë vend. Unë kam qenë në Bosnje më parë, por ky është një vend ku duhet të vij përsëri. Më pëlqeu shumë. Erdhëm për të eksploruar. Është e mahnitshme. Në aspektin arkitekturor, ky vend është i ngjashëm me qytetin e Amasyas. Në këtë rajon, 80 për qind flasin turqisht, ata janë të lumtur dhe ne po ashtu. Ne pyesim anglisht, kurse njerëzit na përgjigjen turqisht", tha Duyar.
- Turistët vendas dhe të huaj në Maqedoninë e Veriut
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, numri i turistëve në muajin qershor të vitit 2024 ishte 119.751, nga të cilët 23 për qind ishin turist vendas dhe 77 për qind ishin turistë të huaj.
Në periudhën janar - qershor 2024, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i turistëve është rritur me 11,1 për qind. Numri i turistëve vendas u rrit me 3,3 për qind, ndërsa ai i turistëve të huaj me 14,4 për qind.
Në mesin e turistëve të huaj që vizitojnë vendin dominojnë ata nga Türkiye, ndjekur nga Serbia, Greqia dhe Gjermania./aa