Një plan i ngjashëm si ai i Italisë me Shqipërinë për azilkërkuesit po shqyrtohet nga Britania e Madhe dhe madje është konkret dhe i prekshëm.
E ka pohuar fillimisht kryeministri britanik, Keir Starmer, por së fundmi, e ka qartësuar situatën edhe sekretari i Jashtëm, David Lammy, i cili ka folur pas një tragjedie të ndodhur në orët e para të 15 shtatorit në kanalin e La Manche, ku tetë persona janë mbytur.
Sipas Lammy, duke folur në një komunikim me BBC për çështjen, po shihen opsione për të rregulluar çështjen e emigracionit të jashtëligjshëm dhe veçanërisht po shihet çfarë ka arritur Italia me Shqipërinë.
Kjo nuk nënkupton se do të jetë pikërisht Shqipëria, vendi i tretë në Evropë, me të cilin një marrëveshje e tillë mund të lidhet.
Por, Lammy, garantoi se Starmer do të jetë në Itali të hënën e 16 shtatorit dhe aty padyshim që kryeministri britanik do të diskutojë me homologen italiane, Giorgia Meloni, mbi atë çfarë ajo arriti me Shqipërinë.
Lammy tha: “Ata kanë një skemë gjithëpërfshirëse me Shqipërinë duke kuptuar se rruga e Shqipërisë, si dhe Kanali dhe Mesdheu jugor, janë rrugë që përdorin emigrantët. Pra, sigurisht, për shkak se ka ulur shifrat, ne jemi të interesuar të diskutojmë me Italinë për skemat që kanë zhvilluar, jo vetëm me Shqipërinë”.
Nga ana tjetër, duket se ka konfuzion mbi çështjen, pasi një burim i Home Office (Ministria e Brendshme britanike) tregoi se pretendimi i Lammy-t për një skemë të mundshme të palës së tretë nuk ishte politikë e Qeverisë.
“Nuk është diçka për të cilën po punojmë”, tha burimi, duke shtuar se plani i Italisë për të përpunuar azilkërkuesit në Shqipëri nuk mund të shihet se ka reduktuar numrat, sepse nuk është ende plotësisht funksional.
Italia, e cila pranon më shumë emigrantë që vijnë në BE, hapi të parin nga dy kampet e planifikuara në Shqipërinë fqinje në gusht, por ende nuk ka dërguar njerëz atje.
Emigrantët do të fillojnë të mbërrijnë në kampe vetëm pasi të dyja të jenë të hapura dhe funksionale.
Starmer ka thënë se ishte i interesuar për shtrirjen e politikës, sipas së cilës Shqipëria do të pranojë azilkërkuesit në emër të Italisë, ndërsa kërkesat e tyre të përpunohen.
Enver Solomon ndërkaq, shefi ekzekutiv i Këshillit të Refugjatëve, tha se do të ishte “e pafalshme” të trajtohej shpeshtësia dhe shkalla e humbjeve të jetëve me një ndjenjë se ishte e pashmangshme dhe i kërkoi qeverisë të mos mbështetet në zbatimin për të frenuar numrin e varka të vogla./Albanianpost