Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, SPAK nuk ka gjetur asnjë fakt ndaj tij në çështjen për privatizimit të ish-klubit sportiv “Partizani”.
Në një konferencë për mediet, Berisha tha se, “prokurorët e SPAK e bazojnë padinë e tyre 500 faqe fund e krye në mashtrime, manipulime, falsifikime dhe fshehje të dokumenteve zyrtare dhe përpjekje për të rrëzuar ligjet me dëshmitarë të rreme, shpalljen e bamirësisë, sevapit, vepër penale dhe po kështu shpalljen ryshfet të marrë nga Sali Berisha sipas tyre, sponsorizimin nga Fatmir Bektashi të Ministrisë së Kulturës për udhëtimin e dy këngëtarëve”.
Sipas tij prokurorët e SPAK-ut “pasi nuk kanë gjetur asnjë shkelje të vetme ligjore dhe asnjë dokument të firmosur nga Sali Berisha në dhjetëra e dhjetëra dokumente të procesit të njohjes, kthimit dhe parablerjes nga pronarët legjitimë të pronës në klubin Partizani, pasi nuk kanë gjetur asnjë dëshmitar që të pohojë se Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi kanë bërë ndërhyrjen më të vogël në këtë proces, dhe për të mbrojtur Edi Ramen nga një abuzim i padëgjuar, kanë bërë në piramidën e tyre të mashtrimit, atë që nuk mund ta imagjinojë njeri”.
Ai theksoi se “ata kanë shpallur Sali Berishën kryetar të Bashkisë së Tiranës, vetëm e vetëm për të mbrojtur Edi Ramën”.
SPAK ka renditur në dosjen e saj prej 499 faqesh edhe pagesat që janë bërë nga Argita Malltezi, bashkëshorti i saj dhe djali i ish-kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha për babain e tyre lidhur me shpenzimet shëndetësore dhe shpenzimet zyrave avokatore në Francë e Britani lidhur me çështjen non-grata.
I pyetur nga gazetarët lidhur me këtë fakt, Berisha tha: “Shpenzimet për kujdesin shëndetësor. Sali Berisha ka kursimet e veta, të deklaruara qindarkë për qindarkë në ILDKPI. Nuk është marrë kurrë me administrimin e tyre, edhe të miat edhe të Lilit, i administron vajza jonë, Argita Malltezi. Lidhur me shpenzimet shëndetësore, do ju rrëfej një sekret, në të gjitha rastet ka marrë një porosi nga unë. Këto shpenzime do i marrësh nga kursimet e mia, ajo nuk e ka zbatuar. Ka gjykuar që këto shpenzime ti përballojë me kursimet e saj dhe unë jam mirënjohës, asaj dhe Abit. Ne jemi familje me solidaritet të madh. Lidhur me ndonjë transfertë që ka bërë Jamarbër Malltezi me porosi të Argitës, e cila nuk ka qenë në Shqipëri, ata e kanë zgjidhur problemin fill mbrapa. Pra nuk ka asnjë shkelje ligjore, ata që mendojnë se është ryshfet solidariteti familjar, ata nuk kanë familje. Mund të jenë prindër, por nuk janë, nuk e meritojnë”./ata