Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi tha sot se duhen vetëm 200 metra katrorë pronë publike për të ndryshuar rrënjësisht Tiranën.
Në një bisedë televizive, Këlliçi shpjegoi projektin që ka për 500 oazet në kryeqytet.
Bëhet fjalë, pohoi Këlliçi, për 200 metra katrorë në çdo lagje, për ta bërë lulishte dhe hapësirë çlodhëse me stola. “Sot është një prej problemeve më të mëdha në qytet, pamundësia që kanë banorët, kryesisht të moshuarit dhe familjarët me fëmijë të vegjël, për të zbritur nga apartamentet, e për të kaluar pak kohë jashtë”, u shpreh ai.
Këlliçi sqaroi se i gjithë projekti në 500 lagje të Tiranës do të sillte një transformim total dhe kërkon 100 mijë metra katrorë, e jo më shumë se 5 milionë euro në një mandat.
Këlliçi solli shifrën e lartë, sipas tij, të ndërtimeve dhe betonit në këto 8 vite.
Bashkia aktuale i ka hequr Tiranës 520 mijë metra katrorë gjelbërim, pohoi Këlliçi, dhe ka ofruar 7.1 milionë metër katrorë beton.