Ka shkuar në 15 numri i personave që kanë humbur jetën nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e dendura dhe stuhitë në vendet evropiane Rumani, Austri, Poloni, Çeki, Hungari dhe Sllovaki.
Reshjet e dendura dhe stuhitë që prekën Evropën kanë shkaktuar përmbytje në përmasa të gjera në të gjithë kontinentin.
Në Rumani njoftohet se gjashtë persona kanë humbur jetën, ndërsa në Poloni theksohet se është rritur në pesë numri i personave që kanë humbur jetën nga përmbytjet.
Gjithashtu për shkak të përmbytjeve në Austri janë shënuar 3 të vdekur dhe në Çeki një person.
Paralajmërimi "normaliteti i ri" nga Kryqi i Kuq
Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC) në deklaratën e saj me shkrim theksoi se Evropa Qendrore po përjeton përmbytjet më të mëdha që ka parë në dekada dhe paralajmëroi se kjo situatë së shpejti mund të bëhet "normaliteti i ri".
IFRC njoftoi se mijëra vullnetarë të Kryqit të Kuq në Austri, Çeki, Moldavi, Poloni dhe Rumani po punojnë për të përballuar nevojat e njerëzve të prekur nga përmbytjet.
Në deklaratën e lëshuar nga IFRC thuhet se në përmbytjet e mëdha të ditëve të fundit kanë ndodhur ndërprerje të energjisë elektrike, ndërprerje të transportit dhe dëmtime në infrastrukturë dhe se Austria është ndër rajonet më të prekura, ku 1.750 persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre dhe shkojnë në strehimore të përkohshme.
Po ashtu transmetohet se vendet e rajonit përfshirë Gjermaninë, Hungarinë dhe Sllovakinë, vazhdojnë të jenë të kujdesshëm ndaj përmbytjeve, se shiu pritet të vazhdojë dhe se nivelet e ujit pritet të arrijnë kulmin brenda javës.
Në deklaratën ku paraqiten pikëpamjet e Andreas von Weissenberg, drejtor i IFRC për Shëndetin, Fatkeqësitë, Klimën dhe Krizat në Evropë, thuhet se "Evropa po ngrohet shumë më shpejt se pjesa tjetër e botës. Ne po përballemi me një të ardhme të mundshme në të cilën përmbytje të tilla nuk do të emërtohen si historike, por do të përmenden shpesh ose edhe çdo vit. Ne duhet të përgatitemi për t'iu përshtatur këtij realiteti të ri".
Vendet evropiane kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm në aspektin për të kuptuar dhe përgatitur për rreziqet klimatike, informoi Weissenberg i cili vuri në dukje se për sa i përket zbatimit ato kanë mbetur prapa niveleve të rrezikut që rritet me shpejtësi.
Thuhet se përmbytjet e shkaktuara nga shirat e dendur në Rumani, Austri, Poloni, Çeki, Hungari dhe Sllovaki mund të jenë "fatkeqësia më e keqe" pas fatkeqësisë që preku kontinentin në vitin 2002./aa