Lëvizja "Shqipëria Bëhet" dhe nisma "Thurje" kanë dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese padinë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani, në një deklaratë për mediat, tha se këto ndryshime imponojnë të gjitha subjektet politike që të futen ne zgjedhje me lista të mbyllura. Ai shtoi se Rama dhe Berisha janë bërë bashkë për të rikthyer sistemin e vitit 2008.
“Ata u bënë prapë bashkë, njësoj si në 2008 për të rikthyer sistemin e 2008. Ne po ja adresojmë Gjykatës Kushtetuese këto ndryshime, për ti shfuqizuar për disa arsye, por në thelb, kush e ka pushtetin për të zgjedhur deputetet. Rama dhe Berisha mendojnë se këtë të drejtë e kanë ata të dy. Ne besojmë që kjo është e drejtë kushtetuese e shqiptarëve.
E dyta është imponim që i bëjnë jo vetëm votuesve të vetë, por edhe votuesve të Nismës Thurje apo Shqipëria Bëhet. Ata detyrojnë çdo subjekt që të futen me lista të mbyllura. Besojmë që Gjykata Kushtetuese të shfuqizojë këto ndryshime”, tha Shabani./Dosja