Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçi, ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë ndodhur sot në Korçë  ku Bledar Trëndafili 45-vjeç ka tentuar që të djegë me benzinë gruan e tij Melisa Trëndafili, me të cilën ishin të proces divorci.

31-vjeçarja ka pësuar djegie në trup dhe pas ndihmës së parë në Spitalin e Korçës është sjell për mjekim më të specializuar në repartin e Shërbimit të Djegie-Plastikës në QSUNT.

Në një postim në rrjetet sociale, ministrja Koçiu e konsideron ngjarjen shumë të rëndë dhe thekson se mjekët po bëjnë më të mirën që ta shpëtojnë.

“Mjekët e Shërbimit të Djegie-Plastikës në QSUNT po bëjnë çdo përpjekje për të ndihmuar Melisën dhe shpreh mbështetje për familjen e saj në këtë moment të vështirë”, deklaron ajo.

Koçiu inkurajon institucionet për të ndaluar dhe dënuar ashpër agresorin dhe thekson se dhuna ndaj grave është e papranueshme.

Ministrja kërkon angazhim të përbashkët për të parandaluar raste të tilla dhe për të mbështetur viktimat e dhunës.

Reagimi i plotë i ministres Koçiu për ngjarjen në Korçë:

Mjeket e shërbimit të Djegie-Plastikës në QSUNT po bëjnë më të mirën e mundur për Melisën, vajzën, nënën e dy femijëve të vegjël nga Korça, e cila u sulmua sot në mënyrë brutale nga një “burrë” frikacak, që duhet të ishte krahë saj për ta mbështetur në rritjen e edukimin e fëmijëve, por që sot në mënyrë tinzare vendosi të kthehet në agresorin e saj, nënës së fëmijëve të tij.

E teksa inkurajoj institucionet përgjegjëse për ndalimin dhe dënimin maksimal të tij, i jam pranë me zemër familjes së Melisës. Askush nuk duhet të përjetojë një dhimbje të tillë.

Do të qëndrojmë kundër dhunës dhe mbështesim të gjithë ato gra që bëhen viktima të këtyre “burrave” që meritojnë ndeshkim maksimal. Kjo është një betejë që askush nuk e fiton dot vetëm, ndaj bashkë duhet të punojmë shumë e të bëjmë të pamundurën, të parandalojmë ngjarje si kjo e sotmja.

Policia: Po vijojmë kontrollet për kapjen e autorit

Policia e Korçës njoftoi sot se, rreth orës 16:30, në lagjen nr. 2, Korçë, në rrugë, shtetasi B. T., 45 vjeç, ka tentuar të djegë me lëndë djegëse benzinë bashkëshorten,( në proces divorci dhe aktualisht jetojnë të ndarë), shtetasen M. T., 31 vjeçe.

Sipas policisë, shtetasi B.T, pasi i ka hedhur lëndën djegëse në trup shtetases M.T dhe e ka ndezur është larguar me shpejtësi. Si pasojë shtetasja M. T., ka pësuar djegie në trup dhe është dërguar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të 45 vjeçarit. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.Ndërkohë shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për kapjen e autorit./ata