Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministren e Shtetit për Evropë dhe Klimë të Gjermanisë, Anna Lührmann.
Siç njofton Zyra e Presidencës së Kosovës, Osmani dhe Lührmann diskutuan për tejkalimin e sfidave të përbashkëta, rëndësinë e bashkëpunimit Kosovë-Gjermani, si dhe mbështetjen gjermane për integrimin euroatlantik të Kosovës.
Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e heqjes së masave të Bashkimit Evropian (BE) ndaj Kosovës, që "padrejtësisht po prekin më së shumti qytetarët e vendit".
Në takim po ashtu u diskutua edhe për Procesin e Berlinit, ku Osmani ka ritheksuar mbështetjen e plotë për marrëveshjet e dala nga ky proces.
Në prag të lansimit zyrtar të Qendrës Rajonale për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Osmani ka shprehur rëndësinë e rritjes së partneritetit me Gjermaninë për iniciativa të përbashkëta të cilat kanë për qëllim avancimin tutje të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Ministrja Lührmann do të pritet në takim edhe nga dy komisione parlamentare në Kosovë.
Kujtojmë se presidentja Osmani në fillim të këtij viti ka njoftuar se Zyra e Presidencës me mbështetjen e SHBA-së do të themelojnë Qendrën Rajonale për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë, si një "pjesë e strategjisë së SHBA-së për gratë, paqen dhe sigurinë" në rajon./aa