Partia Socialiste ka ndezur motorët e fushatës për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Gjatë një takimi që u zhvillua sot në Pallatin e Kongreseve me drejtuesit politikë në 12 qarqet e vendit dhe kryebashkiakët socialistë, kryeministri Edi Rama ka ndarë disa porosi.

Në fokus të takimit ka qenë organizimi i fushatës elektorale të socialistëve dhe vota e diasporës. Shqiptarët që jetojnë jashtë vendit për herë të parë do të votojnë në zgjedhjet e 2025-ës.

BalkanWeb mëson se kryesocialisti ka kërkuar që në çdo bashki të vendoset një koordinator i posaçëm, puna e të cilit është evidentimi i shqiptarëve emigrantë që janë pjesë e njësisë përkatëse administrative.

Burimet thonë se Rama ka kërkuar krijimin i një sistemi të dhënash të sakta mbi emigrantët dhe ata të nxiten për t’u regjistruar, me qëllim pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje.

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga 15 drejtuesit politikë të PS që të gjithë të punojnë maksimalisht për garantimin e votës se diasporës./BalkanWeb