Zona e Durrësit të Ri do të ketë shumë shpejt 52 rrugë të reja, sipas standardeve bashkëkohore, duke realizuar ndërhyrje në të gjithë territorin e saj.
Kështu ka deklaruar kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, njëkohësisht kandidate e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 14 majit, në takimin e zhvilluar më banorë të kësaj zone.
Pasi ka mbjellë në mënyrë simbolike disa pemë me banorët, kryebashkiakja Sako tha se, “ne jemi për barazi sociale dhe kjo nënkupton që të kryejmë investime në rrugë, gjelbërim dhe ndriçim të të gjitha njësitë administrative dhe lagjet e Durrësit. Në këtë mënyrë ne u shërbejmë të gjithë banorëve njëlloj dhe kështu do veprojmë. Pas ndërhyrjeve që kemi bërë në rrugën “Shkodra”, “Azem Hajdari”, fillojmë punën për rikonstruksionin e rrugëve dytësore që lidhen me to”.
Kryebashkiakja Emiriana Sako shtoi se, me ndihmën e qeverisë, po i marrim blloqet e banimit një nga një duke realizuar investime në të gjithë zonën, pa asnjë dallim.
“Për këtë arsye është menduar një shumë e konsiderueshme nga buxheti i bashkisë për ndërhyrjen në këto rrugë së bashku edhe me ndihmën e qeverisë shqiptare, e cila ka premtuar dhënien e fondeve për këtë qëllim”, theksoi Sako.
Kryebashkiakja Sako u shpreh se, “brenda mandatit të ardhshëm do të realizohen të gjithë ndërhyrjet në rrugë, kanalizime dhe shërbime të tjera shtesë”.
Një pikë tjetër e bashkëbisedimit me banorët ka qenë edhe shkolla “Dom Nikollë Kaçorri”.
Kryebashkiakja Sako tha se, “para një viti nxënësit dhe mësuesit e kësaj shkolle na kërkuan rikonstruksionin dhe tashmë ne e kemi futur në plan dhe ajo është gati për nisjen e punimeve”.
Me fondet e bashkisë Durrës është planifikuar që në zonën e Durrësit të Ri të ndërtohet edhe një kopsht i ri, kënde lojërash për fëmijët dhe mjedise çlodhëse për moshën e tretë.